Balaj: Kosova rival serioz, gjithmonë kënaqësi të shënosh për Kombëtaren!
Bekim Balaj u bë protagonist mbrëmjen e djeshme në miqësoren kundër Kosovës duke zhbllokuar ndeshjen, në suksesin 2-1 përballë “Dardanëve”. Sulmuesi shkodran doli sot në një konferencë për shtyp nga ambientet e grumbullimit të kuqezinjve, ku foli jo vetëm për golin ndaj Kosovës, por edhe për rëndësinë e ndeshjeve të radhës.
Si ndjeheni për golin dhe suksesin që arritët dje ndaj Kosovës?
Është kënaqësi gjithmonë të shënosh për Kombëtaren. Ishte një test serioz dhe mendoj se bëmë një paraqitje të mirë. Them se jemi plotësisht gati për këto dy sfida.
Me kë ndiheni mirë në sulm?
Nuk kemi preferenca të tilla, pasi për mua ka rëndësi që të luaj, të bëj mirë dhe të ndihmoj skuadrën të fitojë. Formacionin e vendos trajneri dhe kushdo që të luajë, jam i bindur që do të bëjë më të mirën.
Sa të rëndësishme janë këto sfida si miqësorja ndaj Kosovës?
Janë gjithmonë të rëndësishme, sidomos kur luan përballë një kundërshtari serioz si Kosova, pasi shikon gjendjen e skuadrës dhe planifikon se çfarë duhet të përmirësosh për ndeshjet zyrtare.