Reali fluturon në Kiev me barazim, Bajerni del me “kokën lart” nga Madridi (VIDEO)
Real Madrid dhe Bajern dhuron spektakël në ndeshjen e kthimit, por fati i buzëqesh sërish skuadrës së Zidane, që ka siguruar një biletë për në finale pas barazimit 2-2. Ndeshja nisi me ritëm të çmendur në “Santiago Bernabeo”. Skuadra gjermane kaloi në avantazh që në minutën e 3-të. Levandovski hap mirë lojën për Myler në të djathtë. Kapiteni i ekipit gjerman kroson në zonë, atje ku mes rrëmujës së shkaktuar nga Ramos, përfiton Kimish, i cili e çon topin në rrjetë. Kundërpërgjigja e Realit nuk vonon, teksa në minutën e 11-të është Karim Benzema që vendos baraspeshën, me një goditje me kokë, pas një pasimi të ardhur nga Marselo. Ndeshja është e hapur në të dyja krahët, teksa Myler vendos në provë portierin Navas. Në krahun tjetër portieri Ulraiç bën një pritje mjaft të mirë ndaj Marselos dhe Ronaldos.
Toliso në fundin e pjesës së parë, goditi në hyrje të zonës, por tentativa e tij përfundoi jashtë kuadratit të portës. Pjesa e dytë nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për Bajernin. Një gabim i rëndë nga portieri Ulraiç, i cili nuk kontrolloi një top të kthyer pas nga Toliso, duke i dhënë mundësinë Benzema që të shënojë golin e avantazhit. Skuadra gjermane reagoi menjëherë me Alabën me një goditje në hyrje të zonës, por portieri Navas bën një pritje spektakolare. Reali ndërkohë në krahun tjetër dhuron spektakël, Kristiano Ronaldo në minutën e 54-të shpërdoron një mundësi të artë vetëm përballë portierit brenda zonës. Ndeshja vijoi me një ritëm të shfrenuar, teksa Hames Rodriguez arriti të barazonte rezultatin në minutën e 64-të të ndeshjes. Ylli kolumbian fillimisht tentoi me një goditje më të majtën që u ndal nga mbrojtja dhe më pas e kishte të thjeshtë për ta shtyrë topin në rrjetë. Rodriguez nuk feston pas golit. Gjermanët morën “zemër” pas golit të shënuar, teksa në minutën e 74-të Korentin Toliso godet nga një pozicion shumë i afërt, por portieri Keilor Navas bën një tjetër mrekulli.
5 minuta më pas Alaba kroson në mënyrë perfekte për Myler, i cili godet me kokë, por ndalet edhe njëherë nga portieri i madrilenëve. Presioni i skuadrës së Hejkens u shtua shumë në minutat e fundit, duke u shfaqur shumë herë të rrezikshëm në portën e kampionëve të Europës. Humels nuk gjen portën me një goditje me kokë në minutën e dytë shtesë, ndërkohë që pas disa sekondash godet keq në zonë përballë portierit. Në sekondat e fundit, Kimisht mund të kishte shënuar golin e një përmbysje historike, por mbrojtësi nuk arriti që të devijonte topin. Madrilenët do të luajnë në finalen e Kievit më 26 ndaj Liverpulit ose Romës.
KOHA JONË SONDAZH

