Barcelona bën gati 3 goditje të mëdha në merkaton e verës
Barcelona është duke menduar për 3 blerje cilësore në dy sensionet e radhës së merkatos, gjatë janarit dhe verës. Skuadra blaugrana kërkon një mbrojtës me nivel të lartë, duke parë moshën e Pique-së (do të mbushë së shpejti 33-vjeç) dhe gjendjen fizike të Umtiti-së, që më shumë po qëndron në infermieri i dëmtuar.
Sytë janë hedhur nga serbi Nikola Milenkovic. 22-vjeçari, 1.95 metra i gjatë (Piqué është 1.94), luan edhe si mbrojtës i djathtë. Prej dy vitesh po shkëlqen te Fiorentina dhe në përfaqësuesen e Serbisë.
Ëndrra madhe për krahun e djathtë të mbrojtjes mbetet Joshua Kimmich, pavarësisht se Semedo po përmirësohet shumë dhe konsiderohet titullar i padiskutueshëm, për momentin. Në këtë pozicion është përshtatur prej disa vitesh Sergi Roberto, por gjatë këtij sezoni ky i fundit është parë më shumë si alternativë në mesfushë.
Synimi i tjetër është Joshua Kimmich, 24-vjeç, ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2023 dhe vështirë se kampionët e Bundesligës do të pranojnë të privohen nga shërbimet e tij, veç në rast se vetë futbollisti kërkon me ngul largimin. Tjetër alternativë, që po vlerësohet nga stafi i Barcelonës, ëshë Lukas Klostermann, 23 vjeçi që luan te Leipzigu. Ai ka kontratë deri në vitin 2021 dhe konsiderohet “yll” në shkëlqim e sipër në futbollin gjerman.
Barcelona është në kërkim edhe të një bomberi për të zëvendësuar Luis Suarez. Një emër i madh, që pëlqehet shumë nga Barça, është Harry Kane, goleadori 26-vjeçar i Tottenhamit, pa harruar Marcus Rashford të Manchester United. Problemi është se klubet angleze nuk janë të detyruara t’i shesin “yjet” e tyre.
Në majën e listës, në fakt, për këtë pozicion është ngjitur Lautaro Martinez, sulmuesi 22-vjeçar i Interit, një lojtar i fuqishëm që garanton gola. Ka treguar se di të shënojë edhe ndaj kundërshtarëve më të fortë. Një detaj në favor të tij është fakti që te Barça do të luante përkrah bashkëkombësit të tij, Lionel Messi.