Barcelona dhe Reali bëjnë paqe në “El Clasicon” e frikës

“El Clasico” e parë e këtij sezoni nuk prodhon asnjë fitues duke u mbyllur pa gola. Në “Camp Nou” mes frikës së madhe për trazira nga protestat e shumta në Katalonja, asnjë prej skuadrave nuk do të arrinte që të gjente rrugën e rrjetës. Një ndeshje më e mirë nga madrilenët, ndërkohë që Lionel Messi vuajti shumë vendosjen fantastike të Zidane në mesfushë dhe mbrojtje.

Ndeshja nisi më mirë për Realin që ju afrua shumë golit në minutën e 18-të me Casemiron, por tentativa e tij me kokë u ndal në vijën e portës nga Pique. Mesfushori i madrilenëve disa minuta më pas provoi me një goditje nga distanca, por këtë herë do të ishte Ter Stegen që do ta ndalte mjaft mirë. Valverde do të krijonte një mundësi të mirë në minutën e 32-të, ndërkohë që blaugranët kundërpërgjigjen rrezikshëm me Jordi Alba-n. Në minutën e 45-të është sërish Ter Stegen që u bë protagonist duke merituar duartrokitjet e tifozerisë vendase, pasi arriti që të shmangte një shans mjaft të mirë të Valverdes.

Në fillimin e pjesës së dytë ritmi është i kënaqshëm, por te Barcelona trajneri Valverde ndryshon mesfushën, duke aktivizuar Vidal. Pikërisht në këtë moment tifozeria vendase hedh në fushë në formë proteste shumë topa futbolli duke ndërprerë përkohësisht lojën. Në minutën e 60-të, Luis Suarez pretendon për një penallti pasi u pengua në zonë, por për arbitrin nuk ka asgjë të parregullt. Greth Bale nga ana tjetër është i pafat, pasi goditja e tij brenda zonës  përfundon në rrjetën e jashtme. Uellsiani e dërgon topin në rrjetë në minutën e 73-të, por goli i tij do të anulohej për shkak të një pozicioni jashtë loje në nisje të aksionit.

4 minuta nga fundi Suarez shpërdoroi një mundësi të mirë me kokë pas një krosimi fantastik të Ansu Fati. Në krahun tjetër madrilenët janë shumë të paqartë në zonën e blaugranëve, duke mos shfrytëzuar shanset shumë të mira që u ofrohen në zonë. Ky barazim mban Barcelonën në krye më 36 pikë, po aq sa edhe Reali. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP