Barcelona e pakalueshme në shtëpi, skuadra më e mirë në Europë
Barcelona ka vijuar formën e saj fantastike, duke konfirmuar statusin si skuadra më e fortë në shtëpi mes kampionateve kryesore europiane. Fitorja e pastër 3-0 ndaj Real Mallorcës i ka dhënë katalanasve jo vetëm tri pikë të rëndësishme, por edhe një avantazh më të madh në krye të La Ligës.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick ka regjistruar fitoren e 11-të radhazi në 11 ndeshje të zhvilluara në shtëpi në kampionatin spanjoll, duke u kthyer në ekipin e vetëm në Spanjë, Angli, Gjermani, Itali, Francë, Portugali, Holandë dhe Belgjikë që ka fituar të gjitha ndeshjet si vendase këtë sezon.
Një tjetër fakt i veçantë është se Barcelona ka zhvilluar ndeshjet e saj në tre stadiume të ndryshme: “Montjuïc”, “Johan Cruyff” dhe “Spotify Camp Nou”, por kjo nuk e ka penguar skuadrën të dominojë. Në total, katalanasit kanë shënuar 34 gola dhe kanë pësuar vetëm 5 në 11 ndeshje, duke pasur bilancin më të mirë në shtëpi mes tetë ligave kryesore europiane.
Edhe në aspektin mbrojtës, Barcelona renditet mes elitës së Europës, me vetëm pesë gola të pësuar, një shifër që e kalojnë vetëm Paris Saint-Germain, Porto dhe Union Saint-Gilloise në ligat përkatëse. Për më tepër, blaugranat kanë mbajtur portën e paprekur në gjashtë ndeshje ndaj Valencias, Getafes, Athletic Bilbaos, Osasunës, Oviedos dhe Real Mallorcës.
KOHA JONË SONDAZH

