Barcelona kampione e Spanjës për herë të 28-të, incidente dhe panik jashtë stadiumit (VIDEO)

Barcelona është zyrtarisht kampione e Spanjës për herë të 28-të në histori, pas fitores 2-0 ndaj rivalëve lokalë të Espanyolit, në një ndeshje të mbushur me emocione, incidente dhe festime të zjarrta. Fitorja erdhi falë një goli spektakolar të Lamine Yamal dhe një tjetër nga Fermin Lopez, duke i mbajtur katalanasit me 7 pikë avantazh ndaj Real Madridit, kur kanë mbetur vetëm dy javë nga fundi i kampionatit.
Pas vërshëllimës përfundimtare, festimet shpërthyen në fushë, por gjërat morën një kthesë të pazakontë: sistemi i ujitjes u aktivizua, duke prishur atmosferën, gjë që shumë e interpretuan si një “hakmarrje” nga Espanyoli.
Më pas, lojtarët vendas kërkuan që festa të vazhdonte në dhomat e zhveshjes dhe jo në fushë, çka solli një përplasje fizike dhe tension në qendër të fushës. Situata u përshkallëzua për pak minuta, me policinë që u pozicionua përgjatë vijave të fushës për të parandaluar incidente më të mëdha, duke kujtuar skenat e përplasjes së dy viteve më parë. Fatmirësisht, gjithçka u qetësua pa pasoja të rënda.
Ndeshja gjithashtu u ndërpre për disa minuta për shkak të një incidenti jashtë stadiumit, ku një automjet përplasi turmën, duke lënduar rreth 20 persona, fatmirësisht pa pasoja të rënda.
Pas tensioneve, gëzimi shpërtheu në dhomat e zhveshjes së Barçës, ku DJ Koundé udhëhoqi festën me muzikë dhe shampanjë, ndërsa skuadra bëri një video-telefonatë me Ferran Torres, i cili pak orë më parë ishte operuar për apendicit.
Ky titull vjen si shpërblim për një sezon të dominuar nga Barcelona, nën drejtimin e trajnerit Flick, dhe është një tjetër konfirmim i rritjes së yllit Lamine Yamal, një lider i së tashmes dhe të ardhmes. /R.Lika-Koha Jonë/
