
Barcelona më në fund ndalet në La Liga. Skuadra katalanse nuk ka mundur që të shkojë më shumë se një barazim 2-2 në tranfertën delikate ndaj Real Sociedad.
Ekipi i Valverdes e nisi mjaft keq ndeshjen duke u gjendur në disavantazh pas 12 minutash. Në minutën e 11-të, Sergio Busquets e tepron me mbajtjen e një prej kundërshtarëve, teksa arbitri akordoi penallti. Nga pika e bardhë, Mikel Oyarzabal nuk fal, duke mposhtur portierin Ter Stegen.
Në minutën e 38-të, Llorente gabon duke i dhënë mundësinë Suarez që të organizohej shumë shpejt në kundërsulm. Uruguaiani pasoi të Griezmann, i cili realizoi me një parabël të bukur duke arritur që të mposhtë portierin vendas. Francezi nuk festoi për shkak se ka luajtur më parë te Sociedad, duke e respektuar.
Në fraksionin e dytë, Barcelona shënoi edhe golin e dytë me Luis Suarez, i cili mori një asist nga Messi, por kjo nuk mjaftoi për të marrë 3 pikë. Në minutën e 62-të, Aleksander Isak përfitoi nga një grushtim i gabuar i Ter Stegen, duke vendosur baraspeshën. Barcelona mbetet në krye me një pikë më pak, por mund të kalohet nga Reali nëse fiton ndaj Valencias. /R.Lika-Koha Jone/
