Barcelona shpartallon Eibarin, Messi shënon poker golash (VIDEO)

Barcelona rikthehet të dhurojë spektakël në La Liga. Skuadra katalanase triumfoi 5-0 ndaj Eibar-it, me protagonist absolut Lionel Messi, i cili ka shfrytëzuar më së miri përgjumjen e miqve.

Pas një muaj e pak, ylli argjentinas ka arritur që ta dërgojë topin katër herë në portën e Dmitrovic. “Pleshti” do të zhbllokonte ndeshjen që në minutën e 14-t me një super gol, pas një driblimi fantastik në hyrje të zonës. Më pas do të shënonte dy gola të tjerë në harkun e tri minutave, në fundin e fraksionit të parë.

Gjithsesi ai nuk i kishte mbyllur llogaritë në këtë duel, pasi do të kompletonte “pokerin” personal në minutën e 88-të. Një minutë më pas do të realizonte edhe Arthur, duke vulosur shifrat 5-0.

Barcelona me këtë fitore ngjitet përkohësisht në krye me 55 pikë, 1 më shumë se Reali, që luan në mbrëmje. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP