Basketboll, Vllaznia gati për debutimin në Ligën Ballkanike
Vllaznia e basketbollit është gati të debutojë në Ligën Ballkanike e cila nis këtë të martë, pas suksesit në sekondat e fundit përballë Tiranës në fundjavë. Kuqeblutë do të presin në “Qazim Dervishi” skuadrën e njohur malazeze Ibar të qytetit të Rozhaje. Zëvendës trajneri Ervin Bërdica dhe basketbollisti amerikan Byrquis Perine tregojnë objektivat e Vllaznisë në këtë kompeticion. “Vllaznia është një skuadër e talentuar. Ndihem shumë mirë këtu. Më pëlqen energjia që qyteti i sjell kësaj skuadre. Mendoj se do të shkojmë larg në këtë kompeticion edhe pse ka shumë skuadra konkurruese. Do të jemi pretendet për titull edhe në kampionatin shqiptar”, u shpreh Byrquis Perine, basketbollist i Vllaznisë. Vllaznia-Ibar do luhet në orën 18:00, ndërsa pallati i sportit, ashtu si ndaj Tiranës, pritet të jetë i mbushur në gjithë kapacitetin e tij nga sportdashësit shkodranë.