Bayerni dhe Atletico të pamëshirshme, spektakël golash në 25 minutat e para
Mbrëmja e Champions League ka nisur me ritëm të lartë dhe gola të shumtë në dy prej përballjeve të fazës së 1/16-ve, ku ekipet favorite kanë marrë avantazhe të rëndësishme që në minutat e para.
Në Bergamo, Bayern Munich po dominon plotësisht ndaj Atalantës, duke kryesuar 0-3. Bavarezët kaluan në epërsi në minutën e 12-të, kur pas një goditjeje nga këndi, Serge Gnabry dërgoi një top të saktë në zonë dhe Josip Stanisic e finalizoi me sukses duke e çuar topin në rrjetë.
Skuadra gjermane nuk u ndal me kaq. Në minutën e 22-të, Michael Olise realizoi një gol spektakolar me një goditje të fuqishme nga jashtë zone, pas asistit të Dayot Upamecano. Vetëm tre minuta më vonë, në të 25-ën, ishte sërish Serge Gnabry që shënoi golin e tretë për bavarezët, këtë herë pas asistit të Olise.
Ndërkohë, spektakli i golave nuk mungoi as në Madrid. Në stadiumin Metropolitano Stadium, Atlético Madrid ka shpërthyer ndaj Tottenham Hotspur, duke shënuar katër herë brenda pak minutash (4-1).
Serinë e golave e hapi Marcos Llorente në minutën e 6-të, pas një asistimi nga Julián Álvarez dhe një gabimi të rëndë të portierit të londinezëve, Antonín Kinský. Vetëm shtatë minuta më pas, në të 13-ën, Antoine Griezmann dyfishoi rezultatin pas një aksioni të ndërtuar nga Llorente dhe një pasigurie në mbrojtjen e Tottenham.
Presioni i madrilenëve vazhdoi dhe në minutën e 16-të ishte Julián Álvarez që realizoi golin e tretë, duke përfituar sërish nga një gabim i portierit Kinský. Festa e golave u kompletua në minutën e 22-të, kur mbrojtësi Robin Le Normand shënoi me kokë pas një krosimi nga goditja e dënimit, duke vulosur avantazhin e thellë të skuadrës madrilene. Pudro Porro ka shënuar golin e vetëm për ekipin anglez deri më tani.
KOHA JONË SONDAZH

