Bayerni e konfirmon sërish, Flick do të mbetet trajneri i bavarezëve
Hansi Flick do të mbetet trajner i Bayern Munich. Konfirmimi ka ardhur nga drejtori i ekzekutiv i kampionëve të Gjermanisë, Karl-Heinz Rummenigge.
“Të shtunën e kaluar, Uli Hoenes, Hasan Salihamidzic dhe unë njoftuam se Hansi Flick është trajneri ynë, deri në një njoftim të mëtejshëm. Duke qenë se ne nuk duam të pyetemi çdo të shtunë nëse Flick do të jetë trajneri ynë për ndeshjen tjetër, unë do t’ju them se deri në një njoftim të mëtejshëm, ai do të mbajë këtë pozicion, të paktën deri në Krishtlindje, ndoshta edhe në vijim”, ka thënë Rummenigge.
Drejtori i ekzekutiv i kampionëve të Gjermanisë nuk i kurseu edhe vlerësimet për trajnerin e ri: “Flick ka një “koncept mbresëlënës të stërvitjes dhe taktikës. Trajtimi që i bën ai lojtarëve është shumë i mirë dhe ne na pëlqen kjo. Unë po ju them me bindje absolute: Ne i besojmë Hansi Flick”, shtoi Rummenigge.
Me marrjen e drejtimit të ekipit nga Flick, Bayern ka arritur të fitojë të dyja takimet e luajtura. 2-0 ndaj Olympiacos 2-0 në Champions dhe 4-0 ndaj rivalëve të Dortmundit në Kampionat.