Belgjika ndalon përfundimisht kampionatin, i jep titullin në tavolinë Club Brugge
Teksa në Seria A dhe në kampionatet kryesore në Europë ka ende diskutime për rifillimet e sezonit aktual, Federata Belge përmes një njoftimi zyrtar konfirmoi mbylljen e sezonit.
“Për shkak të pandemisë së koronavirusit u vendos që kampionati nuk do të jetë në gjendje të rifillojë në kohë të pranueshme dhe për këtë arsye do të anulohet dhe që klasifikimi përfundimtar të jetë si ai në kohën e ndalesës”.
Titulli kampion do të shkojë për skuadrën e Club Brugge, që kryesonte kampionatin me 15 pikë përpara Gentit të vendit të dytë.
“Bordi i Drejtorëve vuri në dukje rekomandimet e dr. Van Ranst dhe autoriteteve, sipas të cilëve ndeshjet me publik nuk ka shumë të ngjarë të zhvillohen para 30 qershorit. Situata aktuale nuk na lejon të dimë nëse dhe kur është e mundur të planifikohet një rifillim i trajnimeve kolektive”, shkruhet më tej në njoftimin për mediat. /R.Lika-Koha Jone/