Biletat për Shqipëri-Serbi krijojnë polemika, ja “rruga” që duhet të ndjekin tifozët

Biletat për Shqipëri-Serbi krijojnë polemika, ja “rruga” që duhet të ndjekin tifozët

Ka nisur zyrtarisht procesi i aplikimit për blerjen e biletave për ndeshjen Shqipëri–Serbi, e cila do të luhet më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare”, në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026. FSHF ka bërë të ditur se të gjithë tifozët duhet të plotësojnë një formular elektronik, i cili është i hapur deri në fund të muajit maj. Në përfundim të afatit, do të hidhet shorti elektronik, për të përzgjedhur tifozët që do të kenë të drejtë të blejnë biletat.

Por ky proces ka shkaktuar polemika, veçanërisht nga tifozët shqiptarë të Kosovës, disa prej të cilëve janë shprehur të zhgënjyer në rrjetet sociale, duke pretenduar se nuk kanë mundësi reale për të siguruar një biletë, pavarësisht interesimit të madh dhe përkushtimit që kanë treguar gjithmonë ndaj Kombëtares. Në reagim zyrtar, FSHF ka mohuar kategorikisht çdo përjashtim, duke theksuar se të gjithë tifozët, kudo që ndodhen, kanë të drejtë të aplikojnë në mënyrë të barabartë.

Nga ana tjetër, anëtarët aktivë të Klubit të Tifozëve, që kanë ndjekur skuadrën gjatë gjithë sezonit, nuk kanë nevojë të aplikojnë, pasi vendi i tyre në stadium është i garantuar. Ata do të marrin një link të personalizuar për blerjen e biletës, sipas udhëzimeve nga FSHF. Ndeshja e 7 qershorit ndaj Serbisë pritet të jetë një ndeshje e veçantë, me interes të jashtëzakonshëm, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve.

SHKARKO APP