Blendi Fevziu: Izraeli, kronikë e një humbjeje të paralajmëruar!

Nga Blendi Fevziu –

Shqipëria ka kapitulluar në Elbasan Arena përballë një ekipi që është inferior në renditjen e FIFA -s, që ka përfaqësim ndërkombëtar më modest se sa ne dhe që besohej se do të ishte një nga ekipet ku ne do të synomin gjashtë pikët nga përballja. Nuk ishte thjeshtë një humbje, ishte një shpartallim, që më shumë se sa nga arbitri dhe sjellja e tij, erdhi nga vetë ne.

Edhe pse shumë vetë do ta kujtojnë gjatë sjelljen dhe veprimet e arbitrit turko – gjerman; edhe pse tifozët do ankohen për kartonat e kuq; edhe pse shtypi do vajtojë për sjelljen e Berishës dhe për faktin nëse realisht e meritonte atë karton apo jo; edhe pse shumë vetë do ankohen për De Biazin apo për Dukën, këto të gjitha nuk kanë asnjë rëndësi. Penalltia e Gjimshitit mund të akordohej në çdo stadium; kartoni i kuq i Berishës po ashtu. Të dy keto kartona e shkatërruan lojën e ekipit tonë, por humbja me Izraelin shkon përtej këtyre. Shqipëria e ka nisur këtë sezon pa grintën, pa pasionin dhe pa dëshirën për fitore që e karakterizoi në eleminatoret e shkuara.

Pas katër ndeshjes, kur përballë nuk kemi pasur vetëm Italinë, ndeshja më e mirë e Shqipërisë ka qenë humbja me Spanjën në Shkodër. Ndeshjet e tjera s’kanë qenë as impresionuese dhe as diçka për t’u krenuar. Pavarësisht rezultatit. Ndeshja me Maqedoninë shpëtoi falë motit të keq dhe shtyrjes për të nesërmen. Të gjithë e kujtojnë që pas barazimit të Maqedonisë, ekipi u hutua krejt dhe mund të kishte pësuar edhe gola të tjerë; ndeshja me modestët e Lihtenshtejnit nuk kishte asgjë për t’u kujtuar, ndërsa ajo me Spanjën, pavarësisht rezultatit, tregoi një ekip që tentoi të qëndrojë ndaj njërit prej ekipeve më të forta në botë. Ndeshja me Izraelin ishte beteja jonë e vërtetë, që rezultoi edhe një falimentim i plotë. Një falimentim total në çdo detaj. Edhe pse ndeshja mund të merret si një aksident, Shqipëria nuk tregoi thuajse asgjë. Kujtoj që 5 muaj më parë, në ndeshjen me Zvicrën në Europian, kundër një ekipi shumë më të fortë, në disavantazh 0 – 1, me 10 lojtarë pas largimit të kapitenit Cana, Shqipëria bëri një ndër ndeshjet më të bukura të historisë së saj. Ekipi ishte kompakt, gjithë grintë, dëshirë dhe luftarak. Edhe pse nuk arriti të barazojë, dëshmoi se ishte një ekip që kishte dëshirë ta bënte këtë.

Në ndeshjen kundër Izraelit nuk pamë asgjë nga këto. Jo vetëm pas kartonave, por që nga minuta e parë që ajo nisi. Ndaj katastrofë në këtë rast nuk ishte rezultati, por mënyra se si Shqipëria po luan dhe po sillet në këto eleminatore. Nuk ka rëndësi kush e ka përgjegjsinë dhe kush nuk po funksionon në këtë rast. Kjo analizë i takon atyre që merren m këtë gjë. Tjeshtë kjo nuk është Shqipëria që jemi mësuar të shohim këto vitet e fundit dhe kjo është për të gjithë një dhimbje. tifozët në rradhë të parë.

Së fundi, shfryrja dhe mallkimet që kanë nisur të shfaqen thuajse kudo në rrjetet sociale nuk kanë asnjë kuptim. Ky është ekipi ynë kombëtar! Ekipi yt kombëtar! Ekipin kombëtar nuk e zgjedh dot në jetë. Mund të jesh tifoz me një ekip apo një tjetër në kampionatin kombëtar. Mund të zgjedhësh të jesh me Partizanin apo Tironën, Dinamon apo Skënderbeun, Barcelonën, Realin, Juventusin apo Bajernin. Mund të zgjedhësh të brohorasësh për Gjermaninë, Italinë apo Brazilin, por ekipin kombëtar nuk mund ta zgjedhësh dot. Ai të ka zgjedhur ty që momentin kur lind, ai është me ty kur këndohet himbi kombëtar dhe në fanelat që mbajnë simbolet e vendit tënd. Ndaj ajo që mbetet është ta mbështesësh. Pa mallkime, pa shfryrje. Duke ja thënë gjithçka që shkon keq, duke kritikuar çdo herë që nuk është ashtu si duhet të jetë, duke kërkuar që të jetë gjithnjë e më mirë, por padyshim pa mallkime dhe pa mllef. Se të dyja këto nuk kanë vlerë për askënd! Opinion.al

SHKARKO APP