“Bomba” nga Italia, Mesi kërkon transferimin e Hysajt
Lionel Mesin po bëhet gjithmonë e më aktiv në merkato e skuadrës së Barcelonës. Mediat në Spanjë shkruajnë se numri 10 i blaugranëve, i ka bindur drejtuesit për të transferuar Grizman dhe Artur. Por nuk do të mbyllet këtu, pasi “Pleshti” kërkon edhe një mbrojtës në krahun e djathtë, një rol ku deri më tani nuk është gjetur ende një pasues për Dani Alvesh që zgjodhi që të transferohej te Juventusi në vitin 2016. Drejtuesit blaugrana duan që t’ia plotësojnë dëshirat Mesit dhe për këtë qëllim po kërkojnë në Seria A.
Barcelona i shtohet listës së skuadrave që po monitorojnë me kujdes rritjen e Elseid Hysajt, duke e vlerësuar atë si një kandidat potencial për të ardhmen e klubit katalanas sa i përket krahut të djathtë të prapavijës. Për këtë duken të sigurt në Itali, teksa portali “Calciomercato.it” raporton se emri i mbrojtësit shqiptar është mes atyre kryesorë që po merren në konsideratë.
Tifozët kërkojnë prej kohësh Hektor Bejerin të Arsenalit, por Barcelona e di mirë se do të duhet të shpenzojë shumë për të marrë një futbollist të tillë nga Anglia. Ndaj katalanasit kanë hedhur sytë nga “shkolla e mbrojtësve”, Seria A. Kanselo i Interit dhe Hysaj i Napolit shihen si dy alternativat më cilësore dhe po monitorohen edhe për faktin se janë në moshë të re dhe kanë shumë vite përpara e mundësi të tjera përmirësimi. “Shqiptari i Napolit është një ndër mbrojtësit më të besueshëm në qarkullim dhe me eksperiencën evropiane që ka fituar me klubin dhe Kombëtaren mund të bëhet pjesë komode e formacionit të Valverdes”, shkruan portali italian në përshkrimin për Hysajn.
Lihtshtajner i Juventusit është një tjetër alternativë, por do të ishte afatshkurtër duke menduar moshën e zviceranit. Ndërkohë, jashtë Italisë po monitorohet Sidibe i Monakos, për të cilin ka interes nga klubet angleze dhe që do të thotë se vlera e tij do të rritet shumë shpejt. Vlera e kartonit të Hysajt kap shifrën e 50 milionë eurove.
KOHA JONË SONDAZH

