Boom telefonatash, Halili: Shumë trajnerë donin të vinin te Tirana
Julian Ahmataj është nga sot trajneri i ri i skuadrës së Tiranës, pas largimit të Ardian Memës. Presidenti i klubit bardheblu, Refik Halili deklaroi se Ahmataj është zgjedhja e duhur për skuadrën dhe shtoi se shumë trajnerë i kanë kërkuar që të punojnë te Tirana.
“Mendoj se është zgjedhja e duhur. Shumë trajnerë kanë kërkuar të vijnë të punojnë te Tirana, telefonin e kam të mbushur me mesazhe, por në fund zgjodhëm një person i cili e njeh klubin”, deklaroi Halili.
Sipas tij, objektiv për trajnerin e ri është “që ta ngrejë skuadrën në majat e renditjes”, pasi, sipas Halilit, Tirana ka një ekip cilësor. Në fund, Presidenti i klubit falenderoi Ardian Memën për punën e bërë “dhe faktin që me tolerancë e pranoi këtë vendim për të ndryshuar drejtuesin e stolit”.