Boshnjakët japin me qira ballkonet për finalen e Play Off ndaj Italisë
Në Zenica pritet një mbrëmje e jashtëzakonshme futbolli, teksa Italia dhe Bosnjë-Hercegovina do të përballen në finalen e Play-Off-it për një biletë drejt Kupës së Botës.
Sfida do të luhet më 31 mars, në orën 20:45, në stadiumin Bilino Polje, i cili ka një kapacitet prej rreth 9 mijë vendesh. Interesi për këtë përballje vendimtare ka qenë i jashtëzakonshëm, duke bërë që të gjitha biletat të shiten në kohë rekord.
Por etja për ta ndjekur nga afër këtë duel nuk është ndalur me kaq. Banorët që jetojnë pranë stadiumit kanë gjetur një mënyrë alternative për të përfituar nga kjo situatë, duke nxjerrë me qira ballkonet dhe tarracat e shtëpive të tyre.
Sipas raportimeve, çmimet për një vend në këto “tribuna të improvizuara” kanë arritur deri në 500 euro, një shifër e konsiderueshme që tregon qartë interesin e madh për këtë përballje historike.
Zenica pritet të jetë në epiqendrën e vëmendjes, ndërsa tifozët kërkojnë çdo mënyrë për të mos humbur një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit për të dyja përfaqësueset.
KOHA JONË SONDAZH

