BOTERORËT E FUTBOLLIT/ Italia bën “bis” në Botërorin e Tretë (1938)
Nga Skifter Këllici
Në titujt e dy pjesëve të para të rrëfimit tonë për botërorët e futbollit, krahas Martelinit, komentatorit të njohur të RAI-t italian, kam shtuar edhe emrin e Anton Mazrekut. Dhe jo më kot, sepse që nga kjo pjesë, edhe komentatori, publicisti dhe shkrimtari ynë i paharruar do të jetë i pranishëm me kujtimet e tij për botërorët e futbollit, deri më 1969, kur papritmas u nda nga jeta.
Teksa Martelini, gjatë bisedave, më përmendi disa herë Nikolo Karozion, komentatorin e parë të futbollit në EIAR, që pas vitit 1945 do të shndërrohej në RAI, i shpjegova se edhe unë, me kolegë të tjerë, kishim pasur një mësues që më 1 shtator 1938, siç e kam shpjeguar në pjesën e dytë, u bë shembulli ynë në kronikat e ndeshjeve të futbollit nga mikrofonët e Radio Tiranës. Dhe ky ishte pikërisht Anton Mazreku. Pra, katër vjet pas Karozios, saktësisht më 1 shtator 1938.
Për botërorët e futbollit, Mazreku zuri të më rrëfente më 1961, një vit para se në Kili të zhvillohej Botërori i 7-të. Asokohe, si gazetar në Radio Tirana, pata rastin të shfletoja për herë të parë koleksionet e gazetës “Sporti Shqiptar”, që botohej një herë në javë, drejtor dhe kryeredaktor i së cilës kishte qenë në vitet 1935-1939, vit kur u mbyll pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Dhe jo vetëm drejtues, por edhe redaktor, korrektor, daktilografist, i ndihmuar edhe nga kolegu i tij shkodran, Luigj Shala, me krijime letrare të autorëve shqiptarë dhe të letërsisë botërore. Mbeta i befasuar kur pashë që Mazreku, krahas shkrimeve të mahnitshme për futbollin shqiptar dhe ndërkombëtar, për Lojërat Verore Olimpike të Berlinit më 1936, ku kishte qenë i pranishëm, kishte shkruar edhe për Botërorin e Futbollit të vitit 1938!

“Mjerisht, – më tha ai, – ndryshe nga Komiteti Organizues i Lojërave Olimpike të Berlinit që dërgoi ftesa edhe në Shqipëri për të marrë pjesë në këto lojëra (në delegacionin që për dy javë ndoqi këto lojëra bëja pjesë edhe unë), asnjë zyrtar nga FIFA nuk u kujtua që një delegacion nga Shqipëria të ishte i pranishëm në këtë veprimtari, ndonëse ishte pranuar në gjirin e saj që më 1932. Kësisoj, këtë botëror e ndoqa nëpërmjet radikronikave në italisht të Nikolo Karozios. Jo vetëm kaq, por, bazuar në to, lajmet e Radios italiane dhe njoftimet nga Agjencia Telegrafike italiane “Stefani”, ky botëror u pasqyrua edhe në gazetën “Sporti Shqiptar”.
Duhet vënë në dukje se botërori francez u zhvillua në një klimë të ashpër që kishte përfshirë tërë Evropën. Në Spanjë, forcat e djathta, pas humbjeve në parlament, nisën Luftën Civile që e drejtonte gjenerali Franko. Vendet e demokracive perëndimore e bënë veshin të shurdhër kur forcat frankiste iu sulën republikanëve, me ndihmën e Musolinit, që një vit më pas do të pushtonte Shqipërinë, dhe Hitlerit, i cili nuk priti gjatë, por atë vit gllabëroi Austrinë.
Për herë të parë, FIFA vendosi që fituesja e Kupës së Botës dhe vendi organizues të kualifikoheshin drejtpërdrejt, pa kaluar ndeshjet eliminatore. Ndeshjet u zhvilluan në stadiumet e Antibës, Bordosë, Havrës, Lilës, Strazburgut, Tuluzës, Reimsit dhe Parisit.
Që në ndeshjen e parë, axurrët, kampionë botërorë, desh e pësuan nga norvegjezët diletantë.
Veç shikuesve francezë, – kujtonte Martelini, – në stadiumin e Marsejës qenë të pranishëm edhe rreth 10 mijë italianë, emigrantë politikë në Francë, për shkak të përndjekjeve nga regjimi fashist. Kur panë që para fillimit të ndeshjes axurrët dhe trajneri Poco përshëndetën me nderimin “alla romana”, në shenjë mosaprovimi filluan të fishkëllenin. Vite më pas qarkulluan zëra se Poco kishte qenë fashist. Por nuk ishte e vërtetë. Ai jo vetëm nuk kishte teserën fashiste, por më vonë u dëshmua se kishte ndihmuar shumë të burgosur të forcave aleate të arratiseshin dhe të hidheshin gjatë Luftës së Dytë Botërore në Zvicër.

Po përfundonte pjesa e dytë dhe rezultati ishte 1-1. Ishte qëndërsulmuesi Piola, i cili në fillim të viteve ’40 do të kishte në krah Boriçin tonë në radhët e “Lacios”, ai që shënoi golin e fitores.
“Nga ndeshjet më interesante, – më tregonte një ditë Mazreku, – ishte ajo midis Brazilit dhe Polonisë. Brazili fitoi 6-5, ndërsa qendërsulmuesi Leonidas shënoi shtatë gola në këtë botëror, po aq sa edhe hungarezi Shengeler”.
Gjatë bisedës, Martelini u ndal edhe në ndeshjen Gjermani-Zvicër. Në radhët e gjermanëve kishte lojtarë austriakë, të cilët, për shkak se Austria ishte pushtuar nga ushtritë hitleriane, ishin të detyruar të mbushnin radhët e skuadrës gjermane. Pas barazimit 1-1, në ndeshjen e dytë zviceranët i mundën gjermanët 4-2.
Në finale, Italia mundi Hungarinë 4-2.
Tabela e rezultateve:
| Faza | Ndeshja | Rezultati |
|---|---|---|
| 1/8 finale | Itali – Norvegji | 2-1 |
| Zvicër – Gjermani | 1-1 (pas kohës shtesë) / 4-2 | |
| Francë – Belgjikë | 3-1 | |
| Brazil – Poloni | 6-5 | |
| 1/4 finale | Itali – Francë | 3-1 |
| Hungari – Zvicër | 2-0 | |
| Brazil – Çekosllovaki | 1-1 / 2-1 | |
| Gjysmëfinale | Hungari – Suedi | 5-1 |
| Itali – Brazil | 2-1 | |
| Finalja | Italia – Hungari | 4-2 |
- Ndeshje gjithsej: 18
- Gola: 84 (4.47 për ndeshje)
- Shikues: 376.000 (21 mijë për ndeshje)
KOHA JONË SONDAZH

