Botërori me 48 skuadra, Duka: Për shqipërinë mbetet një ëndërr
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë të dhënë për “Top Channel” ka folur pas vendimit të FIFA-s, për rritjen e numrit të skuadrave në botërorin e vitit 2026, duke e çuar numrin në 48.
Një mundësi që i jep shumë shanse kombëtareve të vogla që të kualifikohen, ku dhe shqipëria është pjesë e kësaj liste e cila nuk është kualifikuar asnjëherë në finalet e një kampionati botëror.
Megjithatë, Duka u shpreh se pavarsisht këtij miratimi të FIFA-s që është shumë pozitiv, kualifikimi i shqipërisë për në botëror do të mbetet gjithmonë i vështirë.
“Për të qenë realistë, në gjuhën sportive për shqipërinë është gjithmonë e vështirë pjesëmarrja në finalet e botërorit, sepse numri i skuadrave pjesëmarrëse në botëror, pavarësisht se do të rritet, kuota që do të marrë europa mund të jetë 5-6 skuadra më shumë. Kjo do të thotë që pak a shumë dy vendet e para, ose një pjesë e mirë e dy vendeve të para dhe 70-80 përqind e vendeve të dyta do të kualifikohen për në botëror. Është një mundësi më shumë, por nuk është se zvogëlon shumë distancën e të qënit një ekip i kualifikuar. Gjithsesi mbetet një ëndërr, një objektiv i ekipit shqiptar që urojmë ta realizojmë një ditë. kemi marrë pjesë njëherë në europian, por kjo nuk do të thotë që jemi një ekip pjesëmarrës i përhershëm. Duhet ta tentojmë gjithmonë sepse pjesëmarrja në europian është më e mundshme dhe duhet të ëndërrojmë botërorin. Urojmë që një ditë ta shohim veten atje.” tha Duka.
KOHA JONË SONDAZH

