“Boxing Day”/ Southampton shokon Chelsea-n, Arteta debuton me barazim te Arsenali (VIDEO)
Dita e “Boxing Day” si gjithmonë prodhon surpriza në Premier League. Chelsea ka pësuar një disfatë të rëndë 0-2 në “Stamford Bridge” ndaj Southampton, duke komplikuar së tepërmi pozitat e saj në vendin e katërt të renditjes. Skuadra e drejtuar nga Frank Lampard ka zhgënjyer duke u gjendur në disavantazh që nga minuta e 31-të.
Michael Obafemi merr një top në hyrje të zonës dhe më pas lëshon një goditje fantastike me të majtën duke e dërguar topin në trekëndësh. Chelsea përpiqet që të reagojë, por nuk arrin që të shfrytëzojë shanset për shënim. Miqtë ndërkohë arritën që të shënonin edhe golin e dytë në minutën e 73-të.
Futbollistët e Southampton dhurojnë spektakël, teksa pas një aksioni shumë të bukur, Redmond është në vendin e duhur për të mposhtur për herë të dytë portierin Kepa. Nuk ka qenë një ditë me fat as për Artetën, i cili debutoi me një barazim 1-1 në transfertën ndaj Bournemouth. Gosling riktheu makthet e gabimeve në ndeshjet e fundit për Arsenalin duke kaluar vendasit në avantazh, por “topçinjtë” si në shumicën e rasteve e gjejnë shpëtimin te Aubameyang.
Sulmuesi nga Gaboni shënoi një gol me peshë në minutën e 63-të duke barazuar rezultatin. Pavarësisht tentativave të ekipit londinez deri në fund rezultati nuk do të ndryshonte. Ancelotti ndërkohë debutoi me një fitore 1-0 ndaj Burnley-it, teksa golin e vetëm për Evertonin e shënoi Calvert-Lewin 10 minuta nga fundi i kohës së rregullt.
/Rozalb Lika-Koha Jone/