Brahim Diaz thyen heshtjen pas penalltisë së humbur: Shpirti më dhemb …
Brahim Diaz ka reaguar më në fund publikisht pas penalltisë së humbur që rezultoi vendimtare në humbjen dramatike të Marokut ndaj Senegalit në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës 2025. Ndeshja, e zhvilluar të dielën mbrëma në Rabat, i dha fund ëndrrës së marokenëve për të fituar titullin e dytë kontinental pas gati 50 vitesh pritje.
Diaz, sulmuesi i Real Madridit dhe golashënuesi më i mirë i turneut me pesë gola, u gjend përballë një momenti vendimtar, me mundësinë për të shënuar golin e gjashtë dhe për t’i dhënë Marokut trofeun.
Penalltia e dhënë në favor të Marokut u konsiderua e diskutueshme, pasi Diaz u gjykua i faulluar nga El Hadji Malick Diouf. Vendimi shkaktoi skena kaotike në stadium, me trajnerin e Senegalit, Pape Thiaë, që urdhëroi lojtarët e tij të largoheshin nga fusha në shenjë proteste.
Pas një ndërprerjeje të gjatë dhe tensioni të lartë, Senegali u rikthye në lojë dhe penalltia u ekzekutua në minutën e 24-t të shtesës. Nën presion ekstrem, Diaz provoi një goditje tip “Panenka”, por topi shkoi drejt e në mes dhe u ndal lehtësisht nga portieri Edouard Mendy.
Pas vërshëllimës përfundimtare, Brahim Diaz i shkatërruar emocionalisht u pa në lot teksa merrte çmimin e Këpucës së Artë. Fillimisht ai u kërkoi falje shokëve të skuadrës në dhomat e zhveshjes, përpara se të reagonte publikisht një ditë më vonë.
Në një mesazh emocional drejtuar tifozëve marokenë në rrjetet sociale, Diaz shkroi: “Shpirti im dhemb. Kam ëndërruar këtë titull falë gjithë dashurisë që më keni dhënë, çdo mesazhi dhe çdo mbështetjeje që më bëri të ndihesha se nuk isha vetëm. Luftova me gjithçka kisha, mbi të gjitha me zemër.”
KOHA JONË SONDAZH

