Braktisën fushën për disa minuta në finale, Senegali rrezikon një dënim të rëndë
Një finale e tillë nuk ishte parë kurrë më parë në futboll. Përballja Senegal–Marok në finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës është cilësuar gjerësisht si “ndeshja e turpit”, duke hedhur hije të rënda mbi një turne që deri në atë moment ishte vlerësuar për organizim dhe nivel të lartë sportiv.
Gjithçka degradoi në minutat e fundit të finales së zhvilluar në Rabat, ku vendime të diskutueshme dhe reagime ekstreme çuan në skena surreale. Një gol i Senegalit u anulua në minutën e 92-të, ndërsa në minutën e 98-të arbitri akordoi një penallti për Marokun vendas, vendim që ndezi protestat e forta të kampionëve në fuqi.
Trajneri i Senegalit, Pape Thiaë, në shenjë proteste, urdhëroi lojtarët të largoheshin nga fusha. Pasuan minuta kaosi, me tifozë nga Dakar që kërcënuan me pushtim të fushës, të ndalur vetëm nga ndërhyrja e forcave të shumta të policisë, ndërsa stadiumi u mbush me fishkëllima dhe tension.
Situata u qetësua pjesërisht vetëm pasi Sadio Mané ndërhyri personalisht duke i bindur shokët e skuadrës të riktheheshin në fushë. Penalltia u ekzekutua në minutën e 114-të, ku Brahim Diaz tentoi një goditje të papërshtatshme me “lugë”, e cila u prit lehtësisht nga portieri senegalez.
Në kohën shtesë, Senegali arriti të shënojë golin e fitores, duke triumfuar 1-0 dhe duke fituar trofeun. Por skandalet nuk përfunduan aty. Në sallën e konferencave për shtyp shpërthyen tensione mes gazetarëve marokenë dhe senegalezë, me përplasje verbale, britma dhe kërcënime, aq sa trajneri Thiaë nuk arriti të mbyllte konferencën e tij.
Më vonë, në një intervistë për BeIN Sports, tekniku i Senegalit kërkoi ndjesë publike për veprimin e tij: “Me gjakftohtësi e kuptoj që nuk ishte veprimi i duhur t’i tërhiqja lojtarët nga fusha. I kërkoj ndjesë futbollit. Reaguam në vapë e sipër, duke vënë në dyshim penalltinë dhe golin tonë të anuluar. Gabimet e arbitrit ndodhin dhe duhen pranuar. Nuk duhej të vepronim ashtu, ndaj kërkoj sërish falje.”
Ndërkohë, Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF) ka njoftuar hapjen e një hetimi zyrtar pas shqyrtimit të pamjeve filmike. Burime pranë institucionit flasin për ndëshkime të rënda të mundshme, që mund të kenë pasoja serioze për përfaqësuesen e Senegalit në prag të Botërorit 2026.
KOHA JONË SONDAZH

