Brdaric: Do i marrim pikë Laçit, nuk mendojmë për duelin e Kupës!
Vllaznia i ka humbur dy sfidat e këtij sezoni ndaj Laçit, por trajneri Thomas Brdaric ka besim se këtë të shtunë gjërat do të shkojnë ndryshe për shkodranët. Kuqeblutë do të sfidojnë skuadrën e Duros në Kurbin në një përballje mes dy skuadrave që janë në luftë të ashpër për titullin por edhe për Kupat e Europës. Në konferencën për shtyp para kësaj sfide Brdaric analizoi sfidën e kësaj të shtune ndërsa shtoi se nuk mendon për takimin e Kupës ndaj kurbinasve.
“Jam shumë i kënaqur prej ekipit dhe nesër besoj se do të japim maksimumin. Vetëm Imami ka probleme fizike, pjesa tjetër e ekipit është e shëndoshë. Kam shumë lojtarë, jam i kënaqur me gjendjen e tyre. Kemi qenë me fat që kemi bërë dy stërvitje në stadium, kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Kush e ka thënë që mund të mungojë edhe Imeri? Sot do të jetë në stërvitje, do e shoh gjendjen e tij fizike dhe do bisedoj me të.
Çdo lojtar nesër duhet të japë maksimumin ndaj Laçit, sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Është i vetmi ekip të cilit nuk kemi mundur t’i marrim pikë. Nesër do e provojmë t’i marrim pikë, do të jetë dita jonë që do provojmë t’i marrim pikë Laçit.
Dy ndeshje radhazi ndaj Laçit? Jemi të përqendruar te ndeshja e kampionatit. Më e rëndësishme është loja e nesërme ndaj Laçit. Gjendja fizike nuk është e keqe, por jemi të fokusuar te ndeshja nesërme e kampionatit. Dëshira është t’i fitojmë të dy ndeshjet, në kampionat dhe Kupë. Përgatitja jonë është e mirë, gjendja është pozitive, kemi shumë detyra përpara, i kemi eliminuar disa probleme, të shohim se si do të ece skuadra“, deklaroi strategu i ekipit shkodran.