Brdaric: Nuk merremi me aleancat, të fokusuar te sfida ndaj Skënderbeut
Vllaznia do të kërkojë fitoren e radhës në transfertën ndaj Skënderbeut, skuadrës së vendit të fundit në renditje. Trajneri i shkodranëve Thomas Brdariç doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp. Ai u shpreh se është premtuar nga FSHF-ja që në stadiumin e Korçës do të hiqet bora.
“Kemi punuar gjatë gjithë javës me përkushtim për ndeshjen me Skënderbeun. Duhet të fokusohemi te fusha, pasi do të kemi disa ndryshime në formacion. Lojtarët që do të zbresin në fushë, do të kenë mundësinë të japin maksimumin. Adilit i kemi dhënë kohë për të marrë veten, pasi është i rëndësishëm për skuadrën dhe nesër do të jetë me ne.
Terreni? Shpresoj që bora të jetë e larguar nga fusha, na kanë premtuar këtë edhe nga Federata. Shpresoj që të jetë ashtu. Në Superiore nuk ka ekipe të lehta dhe të vështira, duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje.
Më duket se nesër jemi në javën e 20 dhe nëse marrim parasysh këto javë, ka marrë pjesë çdo lojtar në formacion dhe kemi pasur ndryshime. Nesër kemi mundësi që Hoxhaj të luaj në krah të majtë dhe është një rast shembullor i kontributit. Për opinionin është e rëndësishme se kush do jetë në formacion, por për mua është e rëndësishme që të jemi një trup, të përqendruar bashkë. Ne nuk jemi 11 lojtarë, jemi më shumë se aq, kemi 22 lojtarë dhe të gjithë kanë rëndësinë e tyre. Nuk bëhet fjalë kur lojtari do të luaj, por kur ekipi ka nevojë për të.
Aleancat në kampionat? Faza e tretë e kampionatit është speciale, por nuk do i japim rëndësi kësaj pjese, pasi duhet të përqendrohemi te lojërat tona. Në ndeshjet e fundit ka pasur kritika te skuadra për mungesën e golave nga ana e sulmuesve, por ndaj Laçit nuk e thotë askush se ishte një karton i kuq për ta, që arbitri nuk e dha. Me Apoloninë nuk na dhanë 11-metërsh, kushtet e vështira të motit gjithashtu. Nuk jemi justifikuar por përqendrohemi te puna jonë, ekipi ka dëshirë të luaj futboll. Të gjithë, skuadra, ekipi, qyteti të bashkëngjiten me ne. Mua si trajner më bëhet qejfi që ta bëj këtë punë me këto kushte dhe dua të bëj më të mirën”, deklaroi Brdaric.