
Gleison Bremer ka kërkuar falje ndaj shokëve të skuadrës dhe stafit teknik të Juventusit pas deklaratave të tij të forta, të bëra pas humbjes ndaj Lazios. Sipas gazetarit Fabrizio Romano, fjalët e mbrojtësit brazilian shkaktuan polemika brenda klubit bardhezi.
Pas disfatës, Bremer kritikoi mentalitetin e disa prej bashkëlojtarëve, duke lënë të kuptohet se disa lojtarë fshihen dhe tërhiqen kur gjërat nuk shkojnë mirë. Braziliani theksoi se nuk mund ta mbajë i vetëm përgjegjësinë për të gjithë skuadrën, deklarata që shkaktuan reagime edhe nga trajneri Luciano Spalletti.
Megjithatë, mbrojtësi ka vendosur të sqarojë pozicionin e tij përpara ekipit dhe stafit teknik. Bremer ka shpjeguar se komentet e tij erdhën si pasojë e zemërimit dhe zhgënjimit pas humbjes, duke theksuar se nuk kishte si qëllim të sulmonte apo të akuzonte një lojtar të caktuar.
Kërkimfalja e brazilianit synon të ulë tensionet në dhomat e zhveshjes dhe të shmangë përshkallëzimin e situatës në një moment delikat për Juventusin.
Megjithatë, çështja nuk duket e mbyllur. Sipas raportimeve, Bremer pritet të përballet me një gjobë financiare nga drejtuesit e klubit për deklaratat e tij, si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur disiplinën dhe për të mos lejuar që polemikat të ndikojnë më tej në skuadër.
