Broja: Nuk e kam mendjen te goli, ndeshje e madhe ndaj Serbisë
Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për ndeshjen vendimtare kualifikuese ndaj Serbisë, që do të zhvillohet më 11 tetor në Leskovac. Në konferencën për shtyp të ditës së sotme, përballë mediave dolën Armando Broja dhe Arlind Ajeti, me sulmuesin kuqezi që foli hapur për momentin e tij dhe rëndësinë e këtij takimi.
Broja, i cili ende nuk ka arritur të gjejë golin që prej vitit 2023, u shpreh se objektivi kryesor mbetet suksesi i skuadrës: “Më e rëndësishme për mua është që të fitojmë ndeshjen. Sigurisht që dua të shënoj, por më e bukura do të ishte të fitonim si skuadër, duke krijuar raste dhe ndihmuar njëri-tjetrin.”
Sa i përket atmosferës në grup dhe komunikimit me trajnerin Sylvinho, sulmuesi theksoi rëndësinë e fokusit: “Është një ndeshje shumë e madhe, por ne duhet të jemi të përqendruar. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, të gjithë duam të japim maksimumin. Duhet të ndjekim udhëzimet e trajnerit për të arritur fitoren.”
I pyetur për mungesën e golave dhe ndryshimin e pozicionit në fushë, Broja sqaroi: “Pozicioni nuk ndikon. Edhe në krahun e djathtë mund të shënoj. Kam folur me trajnerin dhe më ka kërkuar të jem më i përqendruar kur të kem raste. Dua të ndihmoj ekipin, qoftë me gola apo me asistime. Nuk e kam mendjen vetëm te goli, por te fitorja.”
Në fund, sulmuesi i Kombëtares u shpreh optimist për shanset e Shqipërisë në kualifikime: “Kemi mundësi reale për t’u kualifikuar, edhe pse përballemi me ekipe të forta si Anglia dhe Serbia. Duhet të luftojmë fort deri në fund. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe duam ta fitojmë patjetër.”
KOHA JONË SONDAZH

