Broja rikthehet në stol për Burnley, sinjal pozitiv për Kombëtaren para përballjes me Poloninë
Sulmuesi kuqezi, Armando Broja është rikthyer në listën e lojtarëve të disponueshëm për Burnley në ndeshjen e sotme ndaj Bournemouth, e vlefshme për javën e 30-të të Premier League, që luhet në orën 16:00. 24-vjeçari do ta nisë takimin nga stoli, një zhvillim i papritur duke marrë parasysh se vetëm dy ditë më parë trajneri Scott Parker kishte bërë të ditur se Broja kishte filluar vetëm stërvitjet individuale pas dëmtimit.
Sulmuesi shqiptar kishte mbetur jashtë aktiviteteve intensive me ekipin që prej 20 shkurtit për shkak të një lëndimi, por prania e tij në pankinë tregon se rikuperimi ka shkuar në drejtimin e duhur. Në Premier League është praktikë që lojtarët të mos përfshihen në listën e ndeshjes nëse nuk janë gati për të luajtur, çka e bën këtë rikthim edhe më domethënës.
Ky është një lajm inkurajues edhe për Kombëtaren e Shqipërisë. Trajneri Sylvinho pret që Broja të jetë një opsion më shumë në prag të sfidës së rëndësishme ndaj Polonisë, që do të zhvillohet më 26 mars në Varshavë për fazën play-off të Kupës së Botës 2026. Edhe pse ende nuk është në formën e tij maksimale, rikthimi gradual i Brojës në skuadër rrit shpresat që ai të jetë gati për sfidat vendimtare me fanellën kuqezi.
KOHA JONË SONDAZH

