Bruno Fernandes prezantohet si United: Bisedova me Ronaldon, dua të ndjek hapat e tij!
Bruno Fernandes kërkon të ndjekë gjurmët e Cristiano Ronaldos. Me transferimin te Manchester United 25-vjeçari portugez u bë blerja më e shtrenjtë në këtë merkato të dimrit në Europë pasi i kushtoi arkave të Manchester United plot 55 milionë euro ndërsa me bonuse kjo shifër do të rritet deri në 68 milionë euro.
Ish-lojtari i Sportingut foli për faqen e klubit duke u shprehur me superlativa për këtë kalim te Djajtë e Kuq. Fernandes theksoi se ka biseduar me Cristiano Ronaldon shokun e tij në kombëtaren portugeze përpara se të merrte vendimin për t’u bashkuar me Manchester United.
“Unë bisedova rreth Manchester United me Cristiano Ronaldon dhe ai më tha vetëm fjalë të mira për klubin. Ai më tha se këtu nisi ëndrra e tij për t’u bërë një lojtar i madh dhe falë edhe Djajve të Kuq ia arriti, Ronaldo më bëri me dije se është shumë i lumtur për transferimin tim në Old Trafford.
Unë kam folur gjithashtu me trajnerin Solskjaer madje Ole kishte biseduar me CR7-ën i cili i kishte thënë vetëm fjalë të mira për mua. Kjo është diçka shumë pozitive pasi Ronaldo ka luajtur me mua në ekipin kombëtar, ai më njeh mirë dhe unë dua të ndjek hapat e tij te Manchester United”, deklaroi Fernandes.