Buffon i jep fund me futbollin e luajtur, bëhet pjesë e stafit të Mancinit
Gianluigi Buffon ka vendosur që t’i japë fund futbollit të luajtur. Portieri legjendar vendosi të japë lamtumirën në moshën 45-vjeçare. Pas vendimit të marrë, ai njoftoi drejtuesit e Parmës, klub me të cilin ka kontratë deri në vitin 2024.
Pasi reflektoi për disa muaj dhe përfundoi pushimet e gjata, ish-portieri i Kombëtares italiane dhe Juventusit vendosi të thotë: Mjaft!
Edhe pse nuk do të jetë më në fushë, ai do të qëndrojë pranë terrenit të gjelbër. Në fakt, në të ardhmen e afërt, Xhixhi do të emërohet në pozicionin e shefit të delegacionit të përfaqësueses italiane.
Roberto Mancini, përkrah të cilit ka luajtur, e donte si pjesë të stafit. Bufon do të jetë vetëm emri i radhës i madh që i qëndron pranë “të kaltërve” në një prej momenteve më delikatë të tranzicionit të ndryshimit të brezave. Së bashku me të pjesë e stafit do të jetë dhe ish-shoku i tij Barzagli.