Bushi i përgjigjet batutës së Rejës: Nuk do të qaj, por do të fitoj!
Trajneri i ekipit kombëtar U-21, Alban Bushi doli ditën e sotme në një konferencë zyrtare për mediat, ku kanë folur për dy ndeshjet kundër Kosovës dhe Anglisë. Tekniku kuqezi i 21-vjeçarëve foli edhe për lojtarët e larguar në ekipin e parë, për furnizimin e Shpresave me lojtarët që luajnë në ekipin shqiptar të Laçit dhe komentoi batutën e trajnerit Reja.
Shqipëria U-21 do të luajë dy ndeshje në transfertë, fillimishtnë Prishtinë, kundër Kosovës më 13 nëntor dhe më pas do të udhëtojë drejt Anglisë, në sfidën e luajtur në datën 17 nëntor.
“Në radhë të parë dua të flas për ndeshjen e parë, për Kosovën. Ne kemi një ekip me kualitete shumë të mira, por sidomos në repartin e sulmit, por kjo gjë vjen nga reparti i mbrojtjes sepse dalim shumë mirë nga mbrojtja në sulm. Dhe kjo gjë është për t’u pasur në konsideratë tek ekipi ynë dhe për t’i falenderuar se si luajnë këta djem kaq të rinj me një vizion kaq të madh. Ndeshja e Kosovës është si çdo ndeshje tjetër, ndeshja e radhës për ne.
Ne jemi të fokusuar 100% te kjo ndeshje, nuk duam ta humbim në asnjë mënyrë sepse vijmë nga një vazhdimësi shumë e mirë si me Austrinë, ashtu edhe me Andorrën. Do mundohemi të bëjmë maksimumin për ta fituar ndeshjen. Kemi lojtarë më të mirë se ekipi i Kosovës, kemi lojtarë më luftarakë se ekipi i Kosovës dhe do të japim maksimumin për ta fituar këtë ndeshje.
Batuta e Rejas? Jo, ai e ka thënë për batutë, por gjithsesi është një nga ato batutat që i shkon trajnerit Reja. Patjetër që, unë jo se ankohem, pasi është kënaqësi kur lojtarët e U-21 shkojnë tek ekipi i parë, por gjithsesi mendoj që mos të ankohem më. Tani nuk do qaj, por do fitoj.
Ndeshja me Anglinë dhe Kosovën? Unë mendoj që çdo stërvitje është vitrinë, për çdo futbollist që luan futboll. Sot në vitin 2020, nuk ka rëndësi është Anglia, është Kosova, janë stërvitje, unë mendoj që të bëhesh futbollist i madh, që të kesh ambicie të mëdha, duhet të japësh maksimumin në stërvitje, sepse nëse nuk jep maksimumin në stërvitje, nuk ke si jep maksimumin në ndeshje. Patjetër që ndeshja me Anglinë, do kishte çdokush qejf që të luante dhe e kanë radhën këta për të treguar se çfarë mund të bëjnë. Por gjithsesi ne jemi shumë të fokusuar te ndeshja me Kosovën, sepse Kosova pavarësisht që thamë se ne kemi ekip më kualitativ se ata, por edhe pavarësisht se janë me lojtarë të rinj si puna jonë, por janë lojtarë që kanë minuta, vijnë nga kampionat që është shumë interesant si Kampionati i Kosovës dhe do jetë një ndeshje e luftuar, një ndeshje interesante”, deklaroi Bushi.