Bushi: Kampionati shqiptar s’u jep dorë të rinjve, Ibrahimovic ndoshta pret Gjermaninë
Shqipëria U21 luan në transfertë ndaj Rumanisë dhe Malit të Zi, dy ndeshje mjaft të rëndësishme për kualifikueset e Europianit të vitit 2025. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi aktualisht janë të parët në Grupin E dhe do të kërkojnë ta ruajnë këtë pozicion edhe pas dy ndeshjeve të radhës, fillimisht më datë 17 ndaj Rumanisë dhe katër ditë më pas ndaj Malit të Zi.
Trajneri Bushi foli në konferencë për shtyp ku theksoi se në kampionatin shqiptar duhet t’i jepet më shumë besim të rinjve ndërsa shtoi se Arijon Ibrahimovic i Frosinones është kontaktuar, por për arsye të lojtarit nuk është grumbulluar, ndoshta sepse mbetet në pritje të një thirrje nga Gjermania.
“Në pesë muajt e fundit kemi bërë pesë ndeshje, është diçka e mirë sepse jemi konsoliduar. Lojtarët e dinë se çfarë duhet të bëjnë, ndjehem mirë se jemi në vend të parë. Kundërshtarët kanë një ndeshje më pak, por nuk do të thotë asgjë. Për ne është një motivim për ndeshjet e radhës. Si Rumania ashtu edhe Mali i Zi janë të fortë, na njohin dhe i njohim. Duhet të jemi më shumë të ekuilibruar me Rumaninë, po ashtu edhe me Malin e Zi.
Beqja dhe Rashica janë lojtarë me perspektivë. Rashica ka qenë me të rinjtë e Kosovës, e falënderoj që na ka zgjedhur. Kampionati shqiptar nuk i jep dorë të rinjve dhe shohim gjithmonë jashtë, edhe ata të rinj që aktivizohen, nuk punohet shumë me ta.
Ibrahimovic, ka patur interes nga Federata? Çdo lojtar që është në Europë e kontaktojmë, ka pasur kontakte. Për arsye të lojtarit nuk është thirrur, ndoshta mund të presë Gjermaninë.
Futbolli është i paparashikueshëm, rumunët kanë lojtarë të mirë, Rumania është nivel i lartë. Duhet të shkojmë për të qenë të ekuilibruar dhe duhet të jemi pak të zgjuar tani se kanë kaluar gjysma e ndeshjes. Lojtarët në Finlandë u treguan euforikë, por duhet të mbrohemi mirë sepse kundërshtarët janë të shpejtë dhe të hapin probleme. Duhet të jemi gjithmonë në avantazh numerik.
Nuk luajmë dot futboll të hapur, e kemi luajtur në ndeshjet e fundit, por kemi pësuar. Te kjo moshë nuk duhet të shihet shumë rezultati, por kur jemi në vend të parë pas katër ndeshjesh pse të mos bëjmë disa llogari. Jam i kënaqur me barazimin ndaj Rumanisë, i kanë fituar ndeshjet në shtëpi.
Mund të jetë edhe efekti i ekipit të parë, por gjithmonë kemi marrë lojtarë. Kush është lojtar i mirë ne e kontaktojmë, është luks që një lojtar mund të zgjedhë dy ekipe. Kosova dhe Shqipëria janë njësoj, jemi një nuk ka problem”, deklaroi Bushi në konferencë.