Bylis shokon Vllazninë në Shkodër me përmbysje, Apolonia ndal Kukësin (VIDEO)

Vllaznia nuk di të fitojë më në Kategorinë Superiore. Kuqeblutë pësuan një humbje shokuese në “Loro Boriçi” 1-2 në sfidën ndaj Bylis, duke bërë një tjetër hap fals. Për të pestën sfidë radhazi, ekipi i Brdaric nuk arrin të fitojë (2 barazime, 3 humbje).

Shkodranët në fakt e nisën mjaft mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh me Dilaver pas 14 minutash. Sulmuesi shfrytëzoi më së miri një krosim në zonë. 15 minuta nga fundi i ndeshjes, Bylis arriti që të barazonte rezultatin me Renato Spahiun, i cili shfrytëzoi një rrëmujë në zonë. Në fundin e kohës shtesë të ndeshjes, ballshiotët fituan një penallti që do të kthehej në gol nga Beji.

Kukësi ndërkohë nuk shkoi përtej një barazimi 1-1 ndaj Apolonisë. Altin Bytyçi 3 minuta nga fundi i pjesës së parë, u ndëshkua me karton të kuq, pasi bëri një faull si lojtar i fundit.

Gjithsesi disavantazhi numerik nuk demoralizoi verilindorët që fituan penallti në shtesën e pjesës së parë, teksa Agim Ibrahimi do të realizonte nga pika e bardhë. 5 minuta nga fundi i ndeshjes Mario Gjata vendosi baraspeshën, duke i dhënë një tjetër goditje Kukësit që nuk fiton prej 5 ndeshjesh. /R.Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP