Cagliari merr fitoren e dytë radhazi, mund me  “poker” Crotonen

Cagliari merr fitoren e dytë radhazi në kampionat, pasi mposhti Crotonen me rezultatin 4-2 në Sardegna dhe filloi ngjitjen në renditje, pasi tani e sheh veten në kuotën e 7 pikëve. Crotone vinte me moral të lartë në këtë takim, pasi ia kishte dalë në ndalë kampionin në fuqi, Juventusin një javë më parë dhe sot kaloi e para në avantazh me anë të Messias në minutën e 21-të të takimit.

Megjithatë reagimi i Cagliarit ishte mjaft i mirë dhe ishte greku Lykogiannis që ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, duke rikthyer baraspeshën në minutën e 25-të e më pas Giovanni Simeone gjeti golin e avantazhit të përkohshëm për sardët. Molina riktheu edhe njëherë baraspeshën për Crotonen, por në fundin e pjesës së parë ishte sulmuesi i talentuar Sottil që shënoi golin e tretë për Cagliarin dhe dërgoi sardët në dhomat e zhveshjes me avantazhin 3-2.

Në pjesën e dytë gjithçka u komplikua për Crotonen, pasi Luca Cigarini u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën me 10 futbollistë për thuajse të gjithë 45-minutëshin e dytë. Megjithatë Crotone rezistoi dhe disa herë i shkoi pranë golit të barazimit, por shpresat u venitën në minutën e 85-të, kur Joao Pedro shënoi edhe golin e katërt për Cagliarin.

SHKARKO APP