Cana: Francën do ta presim mirë, Kosova na ka dobësuar

Lorik Cana do të jetë sot në tribunë në duelin Shqipërisë dhe Francës, në “Air Albania Stadium”. Ish-kapiteni i Shqipërisëka dhënë një intervistë të gjatë për “ouestfrance.fr”.

Franca është kualifikuar, Shqipëria është eliminuar. Cili është interesi për këtë ndeshje?

Për mua është një poster i veçantë! Një event, duke qenë se luan vendi im për të cilin kam veshur fanellën e kombëtares për një dekadë. Sigurisht, dihet që pikët nuk kanë rëndësi, por mos harroni që përurohet stadiumi i ri kombëtar. Do të ketë një ceremoni të madhe, te e cila do të marr pjesë. Është pozitiv fakti që luajmë ndaj kampionëve të botës për të parën herë në këtë stadium.

Pas asaj që ndodhi me himnin në ndeshjen e parë, a do të ketë pritje armiqësore ndaj Francës?

Jo! Isha në stadium në “Stade de France”, sigurisht ishte episod që duhej shmangur dhe më erdhi keq. Por, gabim njerëzor dhe ndalon aty. Të dy kombet kanë një raport të shkëlqyer dhe Shqipëria mbahet për mikëpritje. Skuadra franceze do të mirëpritet, admirohet dhe nuk pres asnjë vërshëllim gjatë himnit.

Pas pjesëmarrjes në Europian, Shqipëria nuk po paraqitet mirë, Përse?

Pas Europianit, ka qenë një ndryshim brezi. Trajneri Gianni de Biasi e ka nisur dhe Christian Panuçi nuk mundi të ndiqte gjurmët e tij. Tani është një tjetër italian, Edoardo Reja (ish-trajner i Napolit dhe Lazios). Skuadra është në rindërtim e sipër, me disa futbollistë premtues në Serie A. Do të jetë konkurruese  për 2-3 vjet.

Formimi i Kosovës dobësoi Shqipërinë?

Po, e vërtetë, sepse shumë talente u larguan. Sakaq, Kosova ka shkëlqyer, duke shkuar deri në fund thuajse. Diçka fantastike për një vend me vetëm 2 milionë banorë.

Si ju duket Franca?

Admirim për këtë kombëtare! Shumë talente të jashtëzakonshme dhe një fitues i madh si Deschamps që i drejton. Tani duhet vetëm sa më shumë ambicie. Duhet të ketë uri vazhdimisht.

A do të dëshironit të ktheheshit përsëri në futboll?

Në vitin 2020 dua të kthehem në futboll, tani në krye të një klubi, si trajner! Në Francë? Jo. Pse jo në të ardhmen, nëse përvoja më kënaq.

 

 

 

SHKARKO APP