Capello: Conte gaboi, nuk do ta kisha bërë kurrë reagimin e tij
Trajneri Antonio Conte ka shpërthyer ndaj drejtuesve të Interit pas humbjes ndaj Dortmundit, duke evidentuar faktin se ka mungesë futbollistësh për të përballuar dy kompeticione. Fabio Capello, një ish-trajner i njohur ka komentuar këtë reagim të strategut italian duke e kritikuar për këtë sjellje.
“Nëse do të isha ai, nuk do t’i kisha thënë kurrë ato fjalë përpara mikrofonave! Nëse do të isha klubi i Interit, do ta thërrisja trajnerin dhe do t’i thoja se rrobat e pista lahen në familje. Ndoshta Interi shpresonte që të fitonte menjëherë paratë e Icardit nga PSG. Conte e ka nisur mjaft mirë sezonin, megjithatë nuk duhet të bënte një reagim të tillë”, deklaroi Capello.
Interi rrezikon tashmë skualifikimin, pasi duhet të fitojë me patjtër transfertën e radhës ndaj Slavias dhe të shpresojë te një fitore e Barcelonës.