Capello: Yildiz më kujton Del Pieron, por Juventus duhet të ketë kujdes …

Ish-trajneri i Juventusit, Fabio Capello, ka vlerësuar talentin e ri të bardhezinjve, Kenan Yildiz, duke e krahasuar me legjendën Alessandro Del Piero, por njëkohësisht ka paralajmëruar klubin torinez për presionin e pashmangshëm ekonomik nga klubet e mëdha të Anglisë dhe Spanjës.

Në një analizë për La Gazzetta dello Sport, Capello shpjegoi ngjashmëritë mes sulmuesit turk dhe ish-kapitenit të Juventusit.

“Për lëvizjet që bën, për pozicionin ku shfaqet dhe për mënyrën si interpreton lojën, Yildiz më kujton Del Pieron. Sigurisht, janë kohë të ndryshme, por ngjashmëritë ekzistojnë. Alex kishte aftësi të mëdha në driblim, ndërsa Yildiz ka një shpejtësi që Del Piero nuk e kishte, me dhe pa top. Të dy kanë një cilësi të jashtëzakonshme goditjeje edhe nga jashtë zone.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Capello veçoi edhe një tjetër tipar të përbashkët mes tyre: karizmën.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Del Piero e ka pasur gjithmonë këtë cilësi. Yildiz është në fillimet e tij, por edhe ai po tregon se ka personalitet dhe lidership, gjë që e bën të spikasë si me Juventusin, ashtu edhe me kombëtaren e tij.”

Trajneri veteran theksoi gjithashtu rëndësinë e faktit që të dy janë lojtarë të dykëmbësh: “Kjo është një vlerë e shtuar që e kanë vetëm futbollistët me diçka speciale. Del Piero kishte gjithashtu vizion loje të jashtëzakonshëm, ndërsa Yildiz për momentin duket më i prirur për driblim dhe herë pas here luan më shumë individualisht.”

Sipas Capellos, pavarësisht ndryshimeve të kohës dhe skuadrës, të dy mishërojnë të ashtuquajturën “Juventinitet”. “Juve ka sot tek Yildiz një lojtar simbolik, që mund të përfaqësojë më së miri shpirtin bardhezi. Por klubi duhet të ketë kujdes: Anglia dhe Spanja do të ushtrojnë patjetër presion ekonomik për ta marrë,” përfundoi Capello.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?