
Elia Caprile mund të jetë një alternativë interesante për portën e Kombëtares shqiptare. Portieri 25-vjeçar italian ka folur për herë të parë publikisht rreth mundësisë për të përfaqësuar kuqezinjtë, pas pajisjes me pasaportë shqiptare.
Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, gardiani ka konfirmuar se nuk ka pasur ende asnjë kontakt nga Federata Shqiptare e Futbollit, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi në të ardhmen.
Caprile bëri të ditur se pasaportën shqiptare e ka përfituar përmes bashkëshortes së tij, Emili, e cila ka origjinë shqiptare. I pyetur nëse kjo mund të hapë një kapitull të ri në karrierën e tij ndërkombëtare, ai u shpreh:
“Nuk e di nëse nga kjo mund të hapet një dritare e re apo jo. Për momentin, askush nga Federata Shqiptare e Futbollit nuk më ka kontaktuar. Nëse do ta bëjnë, atëherë unë do të bëj vlerësimet e mia”.
Megjithatë, portieri nuk e fshehu ambicien për të përfaqësuar Italinë, duke shprehur edhe pakënaqësinë për mungesën e një ftese nga kombëtarja italiane.
“Mendoj se jam në nivelin për të luajtur me kombëtaren italiane. Po e tregoj çdo ditë. Por duhet të përqendrohem thjesht te puna, sepse gjërat e tjera nuk varen nga unë. Nuk e prish gjumin”, deklaroi 25-vjeçari.
Një detaj i rëndësishëm është se Caprile nuk ka zhvilluar ende asnjë ndeshje zyrtare me përfaqësuesen e Italisë, çka e lë të hapur diskutimin për të ardhmen e tij ndërkombëtare, në varësi të rregullave të FIFA-s.
