CAS merr nesër vendimin për përjashtimin e City-it nga Europa
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka bërë të ditur se të hënën në 13 korrik do të bëjë publik vendimin mbi ankimimin e Manchester City kundër UEFA-s, për përjashtimin për dy sezone nga Kupat Europiane për shkak të thyerjes së Fair Play Financiar. Vendimi duhet të bëhet i ditur në mëngjes e do të shënojë një kapitull të rëndësishëm për të ardhmen e City, edhe në merkaton e futbollit. UEFA zbuloi se ka pasur shkelje të rënda në rregullore mbi licencën e “Fair Play Financiar” duke mbivlerësuar hyrjet e sponsorizimeve në llogari.
Nëse Guardiola është shprehur optimist e ka deklaruar disa herë se është gati të qëndrojë, mund të mos jetë e njëjta situatë për lojtarët e mëdhenj të City në rast konfirmimi të vendimit, teksa shumë prej tyre vështirë se do të ishin të gatshëm që të qëndronin edhe për dy sezone pa luajtur në kompeticionin më të rëndësishëm në Europë. Edhe në Angli nuk janë të pakta skuadrat që dëshirojnë dënimin e “qytetarëve”, teksa do të kishin një shans më shumë për të luajtur në Champions për sezonin e ardhshëm.