CAS merr vendimin për përjashtimin e City-it nga Champions League

Manchester City shfajësohet nga të gjitha akuzat dhe do të lejohet të luajë në Champions League. Kështu vendosi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) këtë të hënë.

Sipas vendimit të CAS, City “nuk ka kryer fshehje të fondeve si kontribute nga sponsorizimet”, që ishte edhe akuza në bazë të të cilës u pezullua nga UEFA në shkurt për të mos luajtur për dy vite në Champions League.

UEFA pretendonte se City kishte shkelur rregullat e “Fair play”-t financiar, në vitet 2012-2016. Për këtë akuzë u gjobit fillimisht me 30 milionë euro, shifër që më pas u ul në 10 milionë.

CAS pranoi në vendimin e publikuar se City nuk bashkëpunoi me autoritetet e UEFA-s, por hodhi poshtë vendimin e përjashtimit. Në një deklaratën e lëshuar nga Manchester City lexohet:

“Ndërsa Manchester City dhe këshilltarët e tij ligjorë do të duhet të shikojnë vendimin e plotë të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, klubi mirëpret vendimin e sotëm dhe dëshiron të falënderojë anëtarët e panelit për kujdesin e treguar në vlerësimin e provave gjatë procesit.”

SHKARKO APP