Ceferin: Ne i bashkojmë kombet, Europiani U-21 i organizuar nga Shqipëria dhe Serbia një shembull i shkëlqyer
“Sot jemi këtu të bashkuar si një familje futbollistike, jo sepse jemi të barabartë, por sepse ndajmë një dashuri të përbashkët për lojën”. Kështu e hapi Aleksander Çeferin, president i UEFA-s, fjalimin e tij në Kongresin e 49-të të institucionit që drejton. Më tej vazhdoi: “Në futboll, si në jetën e përditshme, unitet nuk do të thotë të fshish dallimet, por t’i bësh ato të funksionojnë së bashku në harmoni, si një simfoni, drejt diçkaje më të madhe, të bashkuar dhe të frymëzuar.
Për këtë arsye, shikoj një turne si Kampionatin Europian U-21, i organizuar së bashku nga Shqipëria dhe Serbia, si një shembull i shkëlqyer, që na kujton se në futbollin europian nuk ekzistojnë kufij të vërtetë. Dhe ky mësim uniteti është ajo që na ka sjellë këtu sot. Sepse futbolli nuk është vetëm për të kaluarën e tij të lavdishme, por edhe të ardhmen që po e ndërtojmë. Dhe po e ndërtojmë së bashku”.
Në fjalimin e tij, Ceferin e përmendi situatën e ndjeshme gjeopolitike: “Ngado që shohim sot, miqtë e mi, na thuhet se kurrë nuk kemi qenë kaq të ndarë. Çdo ditë dëgjojmë atë që duket si një këngë e përsëritur pa pushim: ne kundër atyre. Dhe kur e dëgjojmë këtë përsëritje pa fund, është e lehtë të besojmë në të. Megjithatë, më lejoni t’ju them diçka, miqtë e mi: kjo ndarje është vetëm iluzion, taktikë e qëllimshme përdorur nga ata që kërkojnë të na ndajnë dhe pushtojnë.
Këta aktorë e bëjnë këtë me qëllim, për të na vënë ne kundër njëri-tjetrit, si individë, si qytetarë, si rajone, si kombe, si kontinente të tëra. Dhe na kundërshtojnë gjithashtu si organizata të suksesshme e me ndikim, shpesh për përfitime financiare apo politike, ose thjesht për cinizëm dhe keqbërje. Por në fund, e gjitha kjo ndarje iu shërben vetëm qëllimeve të tyre egoiste. Trashëgimia e ndarjes dhe sundimit që ata përdorin është një mbetje imperiale, që vazhdon të ushqejë polarizimin, konfliktet dhe kleptokracinë.
Ne në UEFA nuk ndajmë dhe pushtojmë. Përkundrazi, ne bashkojmë dhe frymëzojmë. Ne pajtojmë dhe respektojmë. Nuk kërcënojmë dhe nuk friksojmë, ndërtojmë dhe inkurajojmë. Kjo është ajo që bëjmë në futbollin europian. Kjo është misioni ynë, të cilit i jemi përkushtuar me devocion tërësisht. Dhe nuk do të përkulet para askujt që kërkon të na dekurajojë. Përkundrazi, ne do t’i tregojmë botës se rivalitetet tona ekzistojnë vetëm në fushën e lojës.
Tani, ata që thonin se tifozët duan të shohin vetëm pesë apo dhjetë klubet më të mira, nënvizonin se zgjerimi i fazës së grupeve të Champions-it do ta dobësonte garën. A e pamë këtë? Jo, pamë të kundërtën”.
KOHA JONË SONDAZH

