Presidenti i Federatës së Serbisë nuk fsheh zhgënjimin për humbjen me Shqipërinë
Humbja e Serbisë ndaj Shqipërisë ka shkaktuar tronditje të madhe në Beograd dhe ka reduktuar në minimum shanset e kombëtares serbe për një vend në “play off”-in e Botërorit.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Serbisë, Dragan Dzajiç, nuk e fshehu zhgënjimin e tij në një intervistë për gazetën “Kurir”, duke e cilësuar rezultatin si “dështim të madh”.
“Dështim. Dështim i madh. Këtu nuk ka dyshime. Nuk e di çfarë na mungoi. E kam parë atë që e panë edhe njerëzit e zakonshëm. Për një milion arsye kemi mundur dhe është dashur të luajmë më mirë,” – deklaroi Dzajiç, i tronditur nga paraqitja e skuadrës.
Kreu i futbollit serb shtoi se ndjen ende dhembje dhe zhgënjim, pavarësisht se nga ndeshja ka kaluar tashmë një javë:
“Futbolli është futboll, i përbërë nga fitore dhe humbje. Befasitë ndodhin, por kjo humbje nuk ishte e zakonshme. Ishte diçka më shumë se një ndeshje futbolli. Dhe për këtë më vjen më së shumti keq. Populli e di çfarë mendoj unë dhe çfarë mendon ai.”
Media serbe e ka cilësuar këtë humbje si një nga më të rëndat e dekadës, jo vetëm për pasojat sportive, por edhe për dimensionin emocional dhe politik që shoqëron çdo përballje mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Pas këtij rezultati, Serbia mbetet me shumë pak shpresa për kualifikim, ndërsa Shqipëria ka hedhur një hap historik drejt fazës së “play off”-it” të Botërorit.
KOHA JONË SONDAZH

