Champions/ Juventus barazim i çmendur me Dortmundin, fiton Reali ndaj Marseille

Aventura e Juventusit në Champions League ka nisur me një barazim spektakolar që ka shijen e një fitoreje. Në Allianz Stadium, bardhezinjtë përballë Borussia Dortmundit dhuruan emocione pa fund, sidomos në pjesën e dytë, ku u shënuan plot tetë gola në total.

Pas një pjese të parë të zbehtë, ndeshja shpërtheu në 45 minutat e dyta. Gjermanët kaluan të parët në avantazh me Adeyemin në minutën e 52-të. Dhjetë minuta më vonë, Juve u rikthye në lojë falë një goli të mrekullueshëm të Yildiz, i cili me një goditje harkore “alla Del Piero” barazoi rezultatin. Vetëm dy minuta më pas, Nmecha me një goditje nga distanca e riktheu Dortmundin në epërsi, por reagimi i shpejtë i bardhezinjve solli golin e Vlahovic në minutën e 67-të, i shërbyer në mënyrë perfekte nga Yildiz.

Gjermanët dukej se kishin mbyllur llogaritë kur Yan Couto (me ndihmën e Di Gregorio) dhe më pas Bensebaini nga penalltia i çuan në 4-2. Por fundi i takimit ishte thjesht i pabesueshëm: në minutën e 94-t, Vlahovic ngushtoi shifrat dhe në minutën e 96-të asistoi për Kelly, i cili me një goditje me kokë shpërtheu në festë tifozët juventinë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një barazim 4-4 që vlen sa një fitore për skuadrën e Tudorit, ndërkohë që Zhegrova u aktivizua kur rezultati ishte 2-4 dhe ishte vendimtar me aksionet shumë të mira në krahun e djathtë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Real Madrid e ka nisur me këmbë të mbarë rrugëtimin në Champions League, duke mposhtur 2-1 Olympique Marseille në “Santiago Bernabeu”, falë dopietës së Kylian Mbappe.

Sfida nisi me surprizë, pasi në minutën e 22-të ishin francezët që kaluan të parët në avantazh. Një gabim i Arda Guler në mesfushë u shfrytëzua në maksimum nga miqtë: Greenwood dha një asist perfekt për Timothy Weah, i cili nuk fali përballë Courtois.

Reagimi i “Los Blancos” erdhi shpejt. Vetëm shtatë minuta më pas, Rodrygo u ndal brenda zonës dhe gjyqtari akordoi penallti. Nga pika e bardhë Mbappe nuk gaboi, duke barazuar rezultatin në 1-1. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Në minutën e 72-të, Real Madrid mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq për Dani Carvajal, i cili goditi me kokë portierin Rulli. Megjithatë, edhe me 10 vetë në fushë, skuadra e Ancelottit arriti të përmbyste takimin.

Vendimtar ishte sërish Kylian Mbappe, që në minutën e 82-të realizoi dygolëshin personal, sërish nga penalltia.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?