Champions League/ Pafos shkruan historinë, Chelsea ndalet në Azerbajxhan
Dy ndeshjet e para të ditës në Champions League kanë sjellë emocione dhe surpriza. Debutuesja e këtij sezoni, Pafos, ka shënuar fitoren e saj të parë historike në fazën e grupeve, duke mposhtur Villarreal-in me rezultatin minimal 1-0 në sfidën e zhvilluar në Limassol.
Heroi i takimit ishte Luckassen, i cili në fillim të pjesës së dytë tund rrjetën me kokë pas një krosimi nga goditja e këndit, duke i dhuruar kështu skuadrës qipriote tre pikë të arta dhe një faqe të re në historinë e saj europiane.
Ndërkohë, në Azerbajxhan, Chelsea nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Qarabag, duke bërë një hap fals në garën për kreun e grupit.
Londinezët kaluan të parët në avantazh në minutën e 16-të, pas një aksioni të bukur mes brazilianëve Andrey Santos dhe Estevao, me këtë të fundit që finalizoi me saktësi brenda zonës.
Vendasit reaguan me forcë dhe përmbysën rezultatin përkohësisht: fillimisht Leandro Andrade barazoi në minutën e 28-të, duke përfituar nga një top i kthyer nga shtylla pas goditjes së Camilo Duran. Më pas, në minutën e 39-të, Marko Jankovic shënoi nga pika e bardhë të penalltisë, pasi Jorrel Hato preku topin me dorë në zonë.
Në pjesën e dytë, Alejandro Garnacho riktheu ekuilibrin për “blutë” me një gol të bukur nga distanca në minutën e 52-të. Deri në fund, rezultati nuk ndryshoi, duke ndarë nga një pikë për secilën skuadër.
Pas katër ndeshjeve, Chelsea renditet në vendin e 10-të, ndërsa Qarabag në të 12-tin, të dyja me nga 7 pikë.
KOHA JONË SONDAZH

