
Një mbrëmje e mbushur me emocione dhe gola në Champions League, ku skuadrat dhuruan spektakël në ndeshjet e vlefshme për xhiron e pestë. Real Madrid ishte protagonisti kryesor, duke përmbysur PSV-në me një fitore të thellë 5-1, ndërsa Arsenal-Dortmund dhe Manchester City-Napoli u mbyllën në barazim. Fitore regjistruan gjithashtu Leipzig, Betis dhe Como, ndërsa dueli mes Feyenoordit dhe Portos mbetet i hapur pas 45 minutave të para.
Në “Santiago Bernabeu”, holandezët befasuan vendasit në fraksionin e parë, duke kaluar në avantazh me Ivan Perisic, i cili shndërroi në gol një penallti të fituar pas faullit të Tchouamenit ndaj Sven Mijnans. Megjithatë, në pjesën e dytë gjithçka ndryshoi. Federico Valverde barazoi në minutën e 50-të, ndërsa Jude Bellingham përmbysi rezultatin në të 60-ën. Më pas, Kylian Mbappe realizoi dy herë, në minutat 64 dhe 84, përpara se Vinicius Junior të vuloste pokerin e golave në minutën e 87-të.
Barazim me gola në Londër, ku Arsenali dhe Borussia Dortmundi ndanë nga një pikë pas rezultatit 1-1. Viktor Gyokeres zhbllokoi takimin në minutën e 10-të me një realizim spektakolar, por gjermanët reaguan në pjesën e dytë. Max Beier riktheu baraspeshën në minutën e 55-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar.
Nuk pati fitues as në “Etihad”, ku Manchester City dhe Napoli dhuruan një përballje të luftuar, që përfundoi 2-2. Pas një pjese të parë pa gola, skuadra italiane goditi dy herë me Rasmus Hojlund në minutën e 55-të dhe Noa Lang në të 76-ën. Reagimi i anglezëve erdhi përmes Ayyoub Bouaddit në minutën e 67-të dhe Rayan Cherkit, i cili barazoi shifrat në të 86-ën.
Fitore bindëse regjistroi edhe Leipzig, që mposhti 3-1 Lens në “Red Bull Arena”. Gjermanët e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte, me David Raum që zhbllokoi rezultatin në minutën e 6-të nga goditja e dënimit. Vetëm tre minuta më vonë, Antonio Nusa përfitoi nga një gabim i mbrojtjes kundërshtare dhe dyfishoi shifrat. Lens reagoi në pjesën e dytë, duke ngushtuar diferencën me Matthieu Udol, por Nusa shënoi sërish në minutat shtesë, duke siguruar fitoren 3-1 për vendasit.
Në Bratislavë, Betis arriti të marrë një fitore 2-0 ndaj Slovanit, ndërsa në Rotterdam, Porto kaloi menjëherë në avantazh kundër Feyenoordit. Victor Froholdt realizoi që në minutën e dytë, duke i dhënë epërsinë portugezëve, rezultat me të cilin skuadrat shkuan edhe në pushimin mes pjesëve.
Ndërkohë, Como festoi një fitore minimale 1-0 në shtëpi ndaj AEK-ut, ku aktivizohen edhe Thomas Strakosha dhe Pilo. Vendimin e sfidës e dha Luis Milla me golin e shënuar në pjesën e dytë. Për vendasit pati edhe një mundësi të artë për të kaluar më herët në avantazh, por Lucas da Cunha shpërdoroi një penallti në fraksionin e parë.

