Championsi duket mallkim për Conten, pëson humbjen e 14-të
Humbja e Napolit ndaj Manchester City shënoi disfatën e 14-të në karrierë për Antonio Conten në Champions League, duke konfirmuar se kompeticioni më i madh europian për klube mbetet terreni ku tekniku salentin has më shumë vështirësi, ndryshe nga kampionatet ku ka ndërtuar suksese të mëdha.
Sigurisht, sfida në “Etihad” nuk ishte nga më të lehtat: përballë një prej skuadrave më të forta në botë dhe me 10 lojtarë për më shumë se 70 minuta, Napoli nuk kishte shumë alternativa. Megjithatë, fakti që pas humbjes 2-0 bilanci i Contes në Champions është pothuajse i balancuar, 15 fitore, 14 barazime dhe 14 humbje, mbetet një statistikë domethënëse.
Në kampionate, tekniku italian ka shifra shumë më të larta: në Serie A mesatarja e tij arrin në 2.40 pikë për ndeshje, pa harruar Premier League të fituar me Chelsean. Por në Europë rrugëtimi i tij ka qenë shumë më pak i shkëlqyer:
Juventus: 6 fitore, 4 barazime, 4 humbje
Inter: 3 fitore, 4 barazime, 5 humbje
Chelsea: 3 fitore, 3 barazime, 2 humbje
Tottenham: 2 fitore, 3 barazime, 2 humbje
Në gjashtë pjesëmarrje në Champions, Conte është eliminuar tri herë në fazën e grupeve (dy herë me Interin, një herë me Juventusin), dy herë në të tetat e finales (Chelsea e Tottenham) dhe një herë në çerekfinale (Juventus). Deri tani, asnjëherë nuk ka arritur gjysmëfinalen apo finalen.
Me Napolin, ku ka në dispozicion përvojën dhe cilësinë e Kevin De Bruyne, trajneri italian shpreson të ndryshojë këtë trend. Kalendari i ardhshëm duket më i favorshëm, me përballje ndaj Sporting Lisbona, PSV Eindhoven, Eintracht Frankfurt, Qarabag, Benfica dhe Kopenhagen, sfida që në letër mund t’i japin mundësi Contes të përmirësojë statistikat europiane dhe t’i japë Napolit besimin e munguar në Champions.
KOHA JONË SONDAZH

