Chelsea fiton derbin londinez ndaj Tottenhamit, vendos goli i Joao Pedro-s
Derbi i Londrës në “Tottenham Hotspur Stadium” u mbyll me fitoren minimale të Chelsea-t 1-0 ndaj Tottenham-it, në një ndeshje plot tension e emocione.
Sfida nuk nisi mirë për skuadrën vendase, pasi Bergvall u detyrua të linte fushën pas vetëm 7 minutash, pasi u godit fort në fytyrë nga topi. Edhe pse lojtari suedez kërkoi të vazhdonte lojën, stafi mjekësor vendosi ta zëvendësonte për arsye sigurie, duke shfrytëzuar rregullin e Premier League për zëvendësimet shtesë në raste dëmtimesh të kokës. Në vend të tij u fut Xavi Simons.
Në minutën e 34-t, Joao Pedro kaloi Chelsea-n në avantazh, pasi përfitoi nga një top i rrëmbyer nga Caicedo ndaj van de Ven. Portieri italian Guglielmo Vicario nuk pati çfarë të bënte për të ndalur goditjen.
Tottenham tentoi të reagonte, por Robert Sanchez ndali me një pritje vendimtare goditjen e Kudus në fund të pjesës së parë. Në pjesën e dytë, Enzo Fernandez dhe Pedro Neto rrezikuan sërish portën e Vicarios, i cili më pas u dallua me një superpritje në minutën e 94-t ndaj autorit të golit, Joao Pedro.
Në fund, Chelsea arriti të ruajë rezultatin dhe të marrë një fitore të rëndësishme 1-0, duke barazuar Tottenham-in me 17 pikë në renditjen e Premier League.
KOHA JONË SONDAZH

