Chivu: Arbitrat nuk janë problemi në futbollin italian, Spalletti i ka dhënë identitet Juves
Në prag të një ndeshjeje me peshë të madhe për Interin, trajneri Cristian Chivu u përball me pyetje të shumta rreth polemikave për gjykimin, duke zhvendosur përkohësisht vëmendjen nga Derbi i Italisë. Tekniku zikaltër ishte i prerë në qëndrimin e tij: sipas tij, futbolli italian ka shumë aspekte për të përmirësuar, por jo domosdoshmërisht te gjyqtarët
“Arbitrat, si të gjithë, mund të bëjnë më mirë, por nuk janë problemi. Nëse Italia mungon prej 11 vitesh në Botëror, a është faji i arbitrave? Flasim gjithmonë për të njëjtat gjëra, edhe pas ardhjes së VAR-it. Rrallë dëgjojmë një trajner të thotë se është favorizuar”, u shpreh ai.
I pyetur për frikën e mundshme të ndikimeve pas protestave të klubeve, Chivu u tregua i qetë: “Nuk kam frikë nga asgjë, nuk shoh fantazma. Jam zgjedhur për të gjetur zgjidhje, jo për t’u ankuar”.
Më pas vëmendja kaloi te sfida me Juventusin. Sipas Chivu, bardhezinjtë kanë bërë progres të dukshëm nën drejtimin e Luciano Spalletti.
“Ai u ka dhënë identitet në pak kohë. Është një ndeshje që sjell motivim shtesë, e rëndësishme jo vetëm në Itali. Por sfida e vërtetë është të gjesh motivim edhe ndaj skuadrave që në letër duken më të dobëta. Duhet të jemi gati dhe të pranojmë se jo gjithmonë do të dominojmë lojën”.
I pyetur nëse fitorja do të ishte vendimtare për titullin, Chivu uli tonet: “Kanë mbetur edhe 14 ndeshje. Një rezultat ndikon më shumë në aspektin moral dhe mendor, por kampionati është i gjatë”.
KOHA JONË SONDAZH

