Chivu: Lautaro duam të qëndrojë, por merkato është bastarde
Interi nis mbrojtjen e titullit në Serie A me sfidën ndaj Monzës, ndërsa trajneri Cristian Chivu e pranon hapur se zikaltërit do të jenë sërish skuadra për t’u mundur.
“E nisim nga zero, por e dimë që jemi skuadra për t’u mundur. Do të përpiqemi të jemi konkurrues në përputhje me ambiciet tona”, u shpreh Chivu në prag të debutimit në kampionat.
Tekniku rumun kërkon që Interi të ruajë nivelin e treguar gjatë viteve të fundit, por njëkohësisht të shtojë diçka të re në lojën e skuadrës.
“Objektivi duhet të jetë të ruajmë nivelin që kjo skuadër ka treguar se mund të ketë në vitet e fundit, ndoshta duke shtuar diçka. Me cilësinë, urinë dhe përulësinë e lojtarëve, besoj se mund të bëjmë sërish një punë të madhe”, deklaroi ai.
Një pjesë e rëndësishme e konferencës ishte situata e Lautaro Martinez, për të cilin kanë qarkulluar zëra për një transferim të mundshëm te Barcelona.
Chivu pranoi se merkatoja mund të sjellë shumë spekulime, por theksoi rëndësinë e argjentinasit për Interin.
“Lautaro është kapiteni ynë. Duam ta mbajmë, sepse përfaqëson gjithçka që kemi qenë dhe gjithçka që duam të jemi”, tha trajneri.
I pyetur nëse është i sigurt për qëndrimin e sulmuesit, Chivu u tregua më i kujdesshëm: “Besoj se do të qëndrojë gjatë. Duam të ndërtojmë diçka të rëndësishme me të, siç kemi bërë vitet e fundit. Ne duam që ai të qëndrojë, por merkatoja është bastarde”.
KOHA JONË SONDAZH

