
Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka fituar çmimin prestigjioz “Pankina e Artë”, duke hyrë në një listë ku figurojnë emra të mëdhenj të futbollit. Pas këtij vlerësimi, rumuni ka folur për krahasimin me Jose Mourinhon, objektivat e Interit dhe garën për titullin kampion në Itali.
Chivu nuk e ka fshehur emocionin për këtë çmim, por ka treguar edhe modestinë e tij kur është pyetur për krahasimin me Jose Mourinhon, trajnerin e fundit joitalian që kishte fituar këtë trofe, në vitin 2010.
“Për mua, të krahasohem me Mourinhon është diçka e tepruar dhe më vë shumë në siklet. Ai është një trajner i madh, ndërsa unë sapo kam nisur. Ky është vetëm viti im i dytë në futbollin profesionist dhe në Serie A. Shpresoj të arrij të fitoj qoftë edhe një pjesë të trofeve që ka fituar ai. Do të isha shumë më i lumtur sesa jam sot”, u shpreh Chivu.
I pyetur nëse Interi është skuadra kryesore favorite për të fituar titullin në Itali, trajneri zikaltër preferoi të shmangte deklaratat e bujshme. Sipas tij, etiketat dhe parashikimet nuk kanë shumë vlerë nëse nuk shoqërohen me rezultate në fushën e lojës.
“Nuk më pëlqejnë këto etiketime. Është shumë e lehtë të thuhet se Interi është favorit absolut dhe se duhet të fitojë gjithçka. Ne duhet të bëjmë atë që kemi bërë gjatë viteve të fundit: të punojmë, të marrim rezultate dhe të tregojmë vazhdimësi në kampionat dhe në Europë, duke pranuar se do të ketë edhe momente të mira, edhe të vështira”, deklaroi trajneri.
Chivu theksoi se rruga drejt suksesit është e gjatë dhe se në futboll diferenca mes kritikave dhe euforisë mund të jetë shumë e vogël.
“Duhet të punojmë dhe të tregojmë në fushë atë që themi me fjalë. Rruga është e gjatë dhe kufiri është shumë i hollë. Të gjithë e shohim se si ndryshon gjithçka: humbet një ndeshje dhe krijohet një tragjedi, fiton dy të tjera dhe rikthehet entuziazmi. Duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur. Ne si klub e kemi arritur këtë prej kohësh”, shtoi ai.
Në fund, trajneri i Interit u pyet se cilën skuadër konsideron kundërshtarin më të rrezikshëm në garën për titullin kampion. Përgjigjja e tij ishte e drejtpërdrejtë dhe pa shumë diplomaci.
“Nuk kam frikë nga askush. Ne shohim veten, përpiqemi t’u përgjigjemi rivalëve në fushë dhe të jemi konkurrues. E dimë se askush nuk të fal asgjë, as në Serie A, as në Europë, as në Kupë apo Superkupë”, përfundoi Cristian Chivu.
