City-Real, super përballja e 6-të në 7 sezonet e fundit në Champions
Shorti i hedhur në Nyon ka rikthyer një nga përballjet më spektakolare të futbollit europian: Real Madrid kundër Manchester City. Dy gjigantët e kontinentit do të përballen sërish në fazën me eliminim direkt, në një duel që tashmë konsiderohet klasik i Champions League moderne.
Në shtatë vitet e fundit, skuadrat janë ndeshur gjashtë herë në fazat vendimtare të kompeticionit, duke prodhuar ndeshje dramatike dhe rezultate të paparashikueshme. Real Madridi ka arritur shpesh të ketë epërsinë në momentet kyçe.
Në sezonin 2023/24, madrilenët triumfuan në çerekfinale pas penalltive, pas një barazimi spektakolar 3-3 në takimin e parë. Po aq e paharrueshme mbetet edhe gjysmëfinalja e sezonit 2021/22, e vendosur vetëm pas kohës shtesë.
Manchester City reagoi fuqishëm një sezon më vonë. Në edicionin 2022/23, anglezët dominuan gjysmëfinalen e kthimit me një fitore bindëse 4-0, pas barazimit 1-1 në sfidën e parë, duke siguruar kualifikimin. Megjithatë, sezonin e kaluar ishte sërish skuadra spanjolle që doli më e fortë, duke fituar të dy përballjet eliminatore me rezultatet 3-2 dhe 3-1.
Statistikat tregojnë një rivalitet tejet të balancuar: nga 15 përballje totale, të dy ekipet numërojnë nga pesë fitore secila dhe pesë barazime. Manchester City ka realizuar 26 gola, ndërsa Real Madridi 25, shifra që konfirmojnë ekuilibrin dhe intensitetin e kësaj sfide.
KOHA JONË SONDAZH

